English

Spahiu: Drejtësia të jetë asnjanëse në gjykime

Tiranë, 5 tetor, NOA – Drejtësia duhet të jetë transparente dhe sa më asnjanëse në gjykimet që merr, por duket se nuk është kështu, pasi ajo po qëndron në hije dhe po i fshihet të vërtetës nga ligji.

Një fakt të tillë, nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu e ka deklaruar sot gjatë fjalës që mbajti në ceremoninë e prezantimit të qendrës së dokumentacionit të gjykatave, projekt ky i ambasadës spanjolle në Tiranë.

Kjo e fundit lind si nevojë për të lehtësuar punën e gjykatësve dhe specialistëve te tjerë të fushës, duke iu lejuar aksesin dhe kërkimin e drejtpërdrejtë në jurisprudencën ekzistuese.

Brenda projektit “Mbështetje për forcimin e Sistemit Gjyqësor në Shqipëri”, financuar nga Spanja nëpërmjet agjencisë Spanjolle të Bashkëpunimit Ndërkombëtar për Zhvillim (AECID), u zhvillua sot ceremonia e prezantimit të Qendrës së Dokumentacionit Gjyqësor.

"Shqipëria nuk është ajo e viteve më parë ku dokumentacioni i gjykatave digjej duke humbur gjurmët për vendimet e marra, por sot Shqipëria sot ka një sistem elektronik" theksoi Spahiu, mbi rëndësinë e kësaj qendre.

Qendra e Dokumentacionit Gjyqësor krijohet me objektivin e dyfishtë që të shërbejë si mjet i domosdoshëm për punën e Gjyqtarëve dhe Gjykatave shqiptare, duke i lejuar hyrjen dhe kërkimin e drejtpërdrejtë në jurisprudencën ekzistuese, duke ju lehtësuar punën e përditshme.

Duke e cilësuar si shumë të rëndësishme krijimin e një qendre të dokumentacionit të gjykatave Spahiu theksoi se tashmë gjykatat do të publikojnë të gjitha vendimet e marra.

"Me këtë qendër ne kërkojmë të rrisim transparencën e publikut dhe aksesin ndaj çdo vendimi gjyqësor. Çdo qytetar do të ketë eksesin në vendimet që do të merren në gjyqësor duke pasur edhe eksesin t'i kontrollojë ato", tha në fund ai.

n.e/NOA

KOMENTE