English

Berisha: Detyrim për institucionet, të hapin çerdhe pranë tyre

Tiranë, 6 tetor, NOA – Kryeministri Sali Berisha ka ngritur sot në mbledhjen e qeverisë edhe çështjen e arsimit parashkollor, duke vënë theksin se është e domosdoshme që 96-98 përqind e fëmijëve shqiptarë të ndjekin çerdhet e kopshtet.

“Nuk duhet të ketë fëmijë shqiptarë, që ulet në bankat e shkollës, pa patur përfituar nga një ose disa programe parashkollore”, deklaroi kryeministri.

Sipas shefit të ekzekutivit, arsimi parashkollor ka rëndësi të jashtëzakonshme edhe për nënën dhe ndihmën që u jepet atyre, që të mos ndërpresin karrierën për shkak të rritjes së fëmijës.

Kryeministri theksoi në këtë kontekst se është në detyrimin e institucioneve të konsiderojnë hapjen e çerdheve pranë tyre.

“Ne duhet të bëjmë çdo gjë për modernizimin më të mirë të këtyre institucioneve, t’i pajisim me mjetet më moderne. Le ta fillojmë aty edukimin e fëmijëve. Por, nga ana tjetër, të jemi edhe ftues, atraktivë, cilësorë, në mënyrë, që asnjë nënë të mos hezitojë, por të ketë kënaqësi, që fëmija i saj të kalojë disa orë në kopsht apo çerdhe,” u shpreh kreu i qeverisë.

Kryeministri Berisha vuri në dukje se “numri i grave është më i madh se ai i burrave në administratë, por paga mesatare e grave është 35 përqind më e ulët se ajo e burrave”.

Duke e cilësuar këtë si një problem madhor, që krijohet kryesisht për shkak të biznesit, kryeministri kërkoi realizimin e një projekti për përfshirjen e grave në biznes.

mit/NOA
KOMENTE