English

Presidenti Topi viziton në spitalin amerikan trajnerin e kombëtares Josif Kuzhe

Tiranë, 7 tetor, NOA – I vëmendshëm si gjithnjë ndaj sportit e sidomos futbollit jo vetëm të kombëtares shqiptare, Presidenti i Republikës Bamir Topi ka vizituar sot në spitalin amerikan, trajnerin e Ekipit Kombëtar të Futbollit, Josip Kuzhe, i cili është shtruar në pavionin e neurologjisë, prej disa ditësh pas një goditjeje nga hemorragjia cerebrale.

I shoqëruar nga Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka dhe anëtarë të Kabinetit, kreu i shtetit, u informua mbi gjendjen shëndetësore të zotit Kuzhe.

Pasi i falenderoi për përkujdesjen dhe përkushtimin, Presidenti Topi zhvilloi një bisedë të shkurtër e të ngrohtë me trajnerin kroat të Kombëtares shqiptare të Futbollit, duke i uruar shërim sa më shpejtë dhe duke e siguruar edhe zonjën Kuzhe, për mbështetjen e pakursyer humane dhe institucionale, si President i Republikës.

Nga ana e saj, zonja Kuzhe edhe në emër të bashkëshortit dhe familjarëve e falenderoi Presidentin Topi për vizitën, duke shprehur mirënjohjen për interesimin e Kreut të shtetit për gjendjen shëndetësore të të afërmit të tyre.

Më pas, Presidenti Topi u shpreh për mediat se “E ndieja si një detyrim qytetar në radhë të parë, por edhe nga pozicioni im, për të parë nga afër gjendjen e trajnerit Kuzhe”. “Fatmirësisht është një gjendje stacionare, një gjendje e përmirësuar falë edhe një kujdesi mjaft të kualifikuar të ekipit mjekësor, por edhe falë fatit të tij, sepse janë patologji shumë të rënda, të cilat në mjaft raste për fat të keq, kalojnë keq. Por kësaj radhe ai është njeri me fat”, tha presidenti Topi.

“Erdha për ta përshëndetur, për ta parë, sepse trajneri Kuzhe është bërë pjesë e strukturës së ekipit kombëtar, pjesë e emocioneve tona të ekipit kombëtar, kështu që dëshiroj që ta përshëndes edhe njëherë këtë mjeshtër të sportit”, përfundoi komentet e tij Presidenti i Republikës.

mit/NOA
KOMENTE