English

Meta konfirmon negociatat me Nanon, akuzat e PS për Bregun: S’jemi në komunizëm

Tiranë, 8 tetor, NOA – Zëvendëskryeministri dhe ministri i Ekonomisë, Ilir Meta ka konfirmuar sot kontaktet me ish-kryetarin e Partisë Socialiste Fatos Nano. Në një prononcim për mediat pas takimit me kryeministrin boshnjak, Meta ka theksuar se biseda telefonike e zhvilluar me Nanon ka qenë në kuadër të vendimit të PE-së për vizat.

“Dje ishte një ditë historike kurrsesi nuk mund të mungonte një vlerësim për reformat që ka bërë Shqipëria”, ka thënë Meta në lidhje me bisedën e zhvilluar me Fatos Nanon.

“Biseda ka qenë shumë shoqërore, shumë konfidenciale dhe ka filluar pikërisht me urimin reciprok për heqjen e vizave nga Parlamenti Europian, dhe natyrisht që të gjithë jemi të bindur se këtu nuk përfundon rruga e Shqipërisë dhe e shqiptarëve për tu bërë qytetarë të barabartë europiane, me të gjithë qytetarët e tjerë të Europës së Bashkuar”, tha Meta në lidhje me bisedën telefonike që ka zhvilluar me Nanon.

Nga ana tjetër Meta ka komentuar dhe deklaratën e kreut të shtetit Bamir Topi për akuzat për korrupsion dhe imunitetin e deputetëve.

Ai theksoi se mazhoranca është e gatshme të bashkëpunojë me organet e drejtësisë për verifikimin e çdo akuze.

“Mazhornaca e ka shprehur vullnetin e vet që prokuroria të hetojë”, tha ai.

Në lidhje me akuzat ndaj ministres Bregu dhe kërkesën e opozitës për largimin e saj, Meta u shpreh se nuk jemi në kohën e komunizmit, kur për veprimin e një personi e paguanin gjithë familjarët. “Duhet të largohemi nga akuzat në kohën e komunizmit”, tha Meta.

a.k/NOA

KOMENTE