English

Buxhuku: Gjykata Administrative, justifikimet për mos votimin, të papranueshme

Tiranë, 10 tetor, NOA – Mungesa e konsensusit politik për votimin e ligjit për Gjykatën Administrative është një vendim që dëmton procesin shtet formues në vend. I këtij mendimi është Administratori i Përgjithshëm i Konfindustrias Gjergj Buxhuku, i cili i cilësoi të papranueshme deklarata e bëra nga drejtuesit politike, dhe vete politizimin e votimit të ligjit.

“Konfindustria kërkon të hiqet dore nga shembujt e papranueshëm mediatik të deritashëm të politizimit skajor, të arsyeve të paqena të mos miratimit të projekt ligjit përkatës si dhe të ndërkombëtarizimit të pa vend, që i është bërë procesit të ndërtimit të gjykatave administrative”, tha sot Buxhuku në një konferencë për mediat.

Ai ka theksuar se ndërtimi i këtyre gjykatave është një element i rëndësishëm me anë të të cilit, qeveria lëshon pushtet në favor të qytetarëve dhe të bizneseve.

“Krijimi i gjykatave administrative është në thelbin e vet me përmasa shtetformuese, sepse ekzekutivi në shembullin e shteteve demokratike të zhvilluara do të duhej të lëshonte, sikurse parashikohet në ligjin përkatës, pjesë të konsiderueshme të pushtetit drejt një sistemi tjetër siç është pushteti gjyqësor”, tha Buxhuku.

Në emër të Konfindustrias, e cila është dhe institucioni nismëtar i krijimit të gjykatave administrative, Buxhuku kërkoi edhe njëherë tjetër nga vendimmarrja politike e të gjitha ngjyrave, që të arrihet marrëveshja për miratimin në një kohë sa më të shpejtë të ligjit përkatës në Kuvendin e Shqipërisë.

“Ndërtimi i gjykatave administrative duhet të miratohet nga vendimmarrja politike si një kërkesë dhe nevojë e qytetarëve, biznesit dhe realitetit të sotëm të zhvillimit të shoqërisë shqiptare dhe në asnjë mënyrë vetëm për hir të projekteve të shteteve miq dhe të huaj, pavarësisht se këta të fundit duhet të falënderohen për ndihmën bujare të dhënë”, tha ai gjatë një konferencë për mediat.

Nga ana tjetër, Buxhuku ka shtuar se në draftin final duhen bërë edhe disa përmirësime të nevojshme dhe të rëndësishme, “që nuk janë marr parasysh në draftin e projekt ligjit të gjykatave administrative të paraqitur në Kuvendin e Shqipërisë”.

Ai ka theksuar se efekti i parë pozitiv nga miratimi i këtij ligji është ripërcaktimi dhe rindarja e plotë e fushës së përgjegjësisë dhe lëndës së punës së gjithë sistemit gjyqësor.

“Sistemi gjyqësor, me mungesën e plotë të profesionalizimit, subjektivizmit dhe shfaqjen e qarte të korrupsionit masiv është kthyer në pengesën më të madhe të zhvillimit ekonomik, shoqëror dhe institucional të vendit me pasoja të pamatshme në dëm të qytetarëve shqiptare”, tha Buxhuku.

a.k/NOA

KOMENTE