English

Kryepeshkopi Anastas në Gjeorgji, pritet nga president Sakashvili

Tbilisi, 11 tetor, NOA – Gjatë datave 11-15 tetor, kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos, do kryejë një vizitë zyrtare në Kishën Ortodokse të Gjeorgjisë, i shoqëruar nga mitropoliti i Gjirokastrës, Dhimitri; episkopi i Apollonisë, Nikolla dhe Arkimandrit Asti.

Siç raportohet për agjencinë e Lajmeve NOA nga burime pranë Kishës Ortodokse, në këtë vizitë, Janullatos do të nderohet me titullin “Doktor Nderi” nga universiteti “Apostull Andrea i Parëthirruri” dhe do të jetë folës kryesor në 1000-vjetorin e katedrales historike të Svetitskhovelit, në Mskheta, sikundër do të pritet edhe nga autoritetet më të larta shtetërore gjeorgjiane.

Sot, pas mirëseardhjes në aeroportin e Tbilisit, u zhvillua dhe pritja në selinë e Patriarkanës Ortodhokse të Gjeorgjisë.

Ndërsa nesër ai do të marrë pjesë në një simpozium shkencor, në bibliotekën e Parlamentit të Gjeorgjisë, me rastin e 1000-vjetorit të ndërtimit të katedrales historike të Svetitskhovelit.

Pas kësaj veprimtarie, në Universitetin “Apostull Andrea i Parëthirruri”, do të zhvillohet ceremonia e dorëzimit ndaj Anastasit të titullit “Doktor Nderi”.

Në fund, ai do të mbajë para trupit akademik dhe studentëve temën "Vlerat shpirtërore të Evropës dhe përgjegjësia e të Krishterëve" dhe do të pritet nga kryetari i parlamentit të Gjeorgjisë, David Bakradze, si edhe nga kryeministri i Gjeorgjisë, Nika Gilauri dhe nga presidenti, Mikhail Saakashvili.

Kisha Apostolike Ortodokse e Gjeorgjisë u bë kishë zyrtare e Gjeorgjisë që nga shek. IV dhe është autoqefale që nga viti 466 e rreth saj sot mblidhet më shumë se 80 për qind e popullsisë së vendit.

Mskheta, ku ngrihet katedralja e Svetitskhovelit, ishte kryeqyteti i mbretërisë së Gjeorgjisë midis shek. III-V. Aty ndodhi edhe kthimi i popullsisë në të krishterë. Katedralja është shpallur nga UNESKO Pasuri e njerëzimit.

n.e/NOA

KOMENTE