English

Zyrtare, lirohet Izet Haxhia i dënuar për vrasjen e Azem Hajdari

Ankara, 11 Tetor 2010 NOA Update – Është zyrtare, Izet Haxhia i dënuar për vrasjen e liderit të Dhjetorit 1990, Azem Hajdari, është liruar me vendim gjykate. I dënuari me 25 vjet heqje lirie për vrasjen në bashkëpunim të deputetit dhe kryetarit të parë të Partisë Demokratike më 12 Shtator 1998, u lirua nga Gjykata Supreme e Turqisë, ndërsa ishte shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare dhe ishte arrestuar në Turqi në qershor të vitit 2006, në qytetin Kushadas në Turqi.

Autoritetet shqiptare fillimisht refuzuan të konfirmojnë lajmin por më tej ishin familjarët e Izet Haxhisë ata që e konfirmuan këtë.

Arrestimi i tij i bë katër vjet më parë me qëllim ekstradimin në Shqipëri, për vuajtjen e dënimit me 25 vjet heqje lirie të dhënë nga gjykata e Tiranës për vrasjen e Azem Hajdarit në bashkëpunim më 1998.

Menjëherë pas arrestimit më 3 qershor 2006, Izet Haxhia i cili kishte disa vite që jetonte në zona të ndryshme të Turqisë i fshehur, kërkoi azil politik në Turqi, por gjykata turke e refuzoi kërkesën.

Ekspertët juridikë shprehen se me vendimin e gjykatës turke, për lirimin nga burgu, drejtësia shqiptare nuk do të ketë mundësi ta ekstradojë Izet Haxhinë.

I shumëkërkuari u lirua sot në mesditë rreth orës 14.00 pak pasi gjykata dha vendimin për ta lënë të lirë dhe duke mos e detyruar kështu të lërë vendin.

Izet Haxhia, u dënua me 25 vjet burg për vrasjen e Azem Hajdarit, në prill 2002, nga Gjykata e Rrethit Tiranë, për vrasjen e deputetit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari. Vendimi u apelua për edhe në Shkallën e Dytë u la e njëjta masë dënimi.

Nga provat e administruara në gjykim, rezultoi se Izet Haxhia, ka kryer një tërësi veprimesh që e implikojnë si pjesëmarrës në krim, në rolin e ndihmësit.

Bashkë me Izet Haxhinë, për veprën penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese të kryer në bashkëpunim”, u dënua edhe Jaho Salihi-Mulosmani. Për të njëjtën ngjarje, janë dënuar me nga 20 vjet burg secili edhe dy vëllezërit e tjetër të Izetit, Ismet dhe Isamedin Haxhia.

Ndërsa u shpall i pafajshëm ish truproja i Azem Hajdarit, Besim Cera dhe truproja tjetër, Zenel Neza.

e.r/NOA

KOMENTE