English

Në Tiranë ka 60 semaforë, 3600 sinjale dhe 3300 tabela

Tiranë, 12 tetor, NOA - Të gjithë së bashku ta bëjmë Tiranën një qytet më të jetueshëm, në pikëpamje të lëvizshmërisë dhe të transportit rrugor.

Kështu është shprehur sot kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, gjatë një tryeze të zhvilluar në bashkëpunim me universitetin Politeknik të Tiranës si edhe shoqatat që zhvillojnë veprimtarinë në fushën e trafikut, sigurisë rrugore dhe mjedisit.

Duke diskutuar mbi çështjet e trafikut, ata nxorën shkaqet dhe zgjidhjet si dhe rëndësinë e respektimit të rregullave të qarkullimit dhe sigurisë rrugore për reduktimin e trafikut.

“Është fare e qartë për ne, por është ende jo e qartë për shumëkënd, sepse çështja e një lëvizshmërie normale, e një transporti normal në këtë qytet nuk ka lidhje vetëm me ne si Bashki e Tiranës, apo vetëm me rrugët si entitet fizik në organizmin e qytetit, por ka lidhje me pjesëmarrjen dhe kontributin e të gjithëve, pasi sot nëse duam një lëvizshmëri normale dhe transport cilësor, na duhet patjetër një qytetar i vetëdijshëm për gjithçka përfshin rolin e tij, në pikëpamje të kodit rrugor dhe në pikëpamje të bashkëjetesës në qytet”, tha ai.

Duke shtuar se bazuar edhe në ekspertizën vendase dhe ndërkombëtare që ne kemi marrë, problematika e lëvizshmërisë dhe transportit nuk lidhet me gjendjen e akseve rrugore.

Por se problematika që ne hasim sot, ka të bëjë me edukimin dhe edukatën e lëvizjes së vetë qytetarëve, në një rrjet rrugor që sipas ekspertëve mundëson një lëvizshmëri tërësisht normale, në rast se do të kishim këtë parakusht, që qoftë mjetet, qoftë këmbësorët të respektojnë minimalisht Kodin Rrugor.

Sot ky qytet ka 171km rrugë ekzistuese dhe vetëm 23 prej tyre kanë ende nevojë për një ndërhyrje që i përfshin në tërë rrjetin e risistemuar të qytetit dhe këtu kam parasysh një rrjet që është i rindërtuar, zgjeruar, asfaltuar me të gjithë infrastrukturën e nevojshme nëntokësore dhe me ndriçimin publik..

“Së dyti, ne kemi filluar punën për korsitë e rezervuara për autobusët, duke pasur si pjesë të vizionit tonë domosdoshmërinë që autobusët të kenë korsitë e tyre. Janë 23 rrugë kryesore që do i japin një tjetër shpejtësi transportit publik, dhe janë 1.88 km korsi e dedikuar sot, 6.5 km do të përfundojnë si fazë e parë dhe aktualisht janë 3.8 km që po punohet për tu futur në këtë sistem. Duke pasur parasysh madhësinë e kësaj sfide dhe faktin që kjo nuk është një sfidë që fitohet me 1 apo 2 km, ne kemi filluar të punojmë edhe për korsitë e biçkletave. Sot kemi 1.42 km korsi të përgatitur, por synojmë që në fazën e parë që kemi parashikuar, të arrijmë në 10.73 km, të dedikuar për biçikletat, për një projekt të plotë që përfshin 17.74 km dhe që ezauron në një pjesë të rëndësishme të qytetit, mundësinë për të lëvizur me biçikletë”, bëri me dije më pas Rama.

Duke sqaruar se deri në fund të vitit 2010, synohet të mbërrihet në 29 km korsi të dedikuar shërbimit në 23 rrugë të qytetit dhe dalëngadalë edhe me një standard të ri sigurie, edhe për përdoruesit e biçikletës, kjo e kombinuar edhe me sinjalizimin rrugor. Nga 63 aparatura semaforike që vlerësohet se i ka të nevojshme ky qytet, 59 janë sot në punë. Nga një qytet që s’kishte asnjë tabelë, sot kemi 3600 sinjale rrugore dhe 3300 tabela me emërtesa rrugore, thuajse në çdo rrugë të qytetit.

Sipas kryebashkiakut, një element shumë i theksuar nga të gjithë është mosrespektimi i sinjalizimit rrugor në tërësi, edhe nga mjetet edhe nga këmbësorët.

“Fakti që ne vazhdojmë ta kemi të domosdoshme dublimin e semaforëve me policë, tregon qartë se kemi të bëjmë me një situatë të pavetëdijes qytetare, për të pranuar këto norma dhe rregulla që garantojnë një lëvizshmëri dhe normalitet për të gjithë”, bëri ai me dije.

Duke përfunduar se “nëse secili bën detyrën e vet, nuk ka pikë dyshimi se gjendja ndryshon sa hap e mbyll sytë”.

“Sigurisht që ne kemi po ashtu një problem të tretë, që lidhet me mungesën e një kontrolli të fortë në rrugë. Kjo kërkon një debat më vete, një thellim më vete dhe këtu unë nuk dua të bëj asgjë të kësaj natyre, sepse kjo tryezë nuk është mbledhur për këtë çështje dhe as për përgjegjësitë e njërit apo tjetrit. Unë konsideroj trupat e Policisë Rrugore që veprojnë në qytet për të garantuar lëvizshmërinë, si pjesë të përbashkët të një pune të përbashkët dhe pavarësisht të gjithë atyre arsyeve të mosarsyes, që shpeshherë krijojnë konflikte absurde të pushteteve dhe institucioneve në Shqipëri, asnjëherë nuk dëshiroj që këto përgjegjësi t’i ndaj në publik”, përfundoi fjalën e tij Edi Rama.

n.e/NOA

KOMENTE