Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Prezantim zhgënjyes i letrave shqipe në Panairin e Frankfurtit
English

Prezantim zhgënjyes i letrave shqipe në Panairin e Frankfurtit

Frankfurt, 12 tetor, DW - 7500 ekspozues nga 111 vende prezantuan botimet më të reja në panairin e 62-të të librit në Frankfurt. Në mesin e mbi 280 mijë vizitorëve të këtij viti pati edhe shqiptarë. Shumica e tyre mbetën të zhgënjyer.

Të shtunën dhe të dielën tek stenda me mbishkrimin “Republika e Kosovës” vizitorët vinin e iknin. Afro 20 metra katrorë hapësirë kishin zënë këtë vit librat e ardhura nga Prishtina, por lexuesit nga diaspora, të cilët kishin bërë deri në pesëqind a gjashtëqind kilometra udhë për t'u gjendur aty, përballë posterëve të biografisë së Dom Lush Gjergjit për Nënë Terezën, librave të Dr. Jakup Krasniqit a Daut Demakut, nuk dukeshin aspak të kënaqur: “Erdha me gëzim, kthehem pakëz me dëshpërim”, thotë Qefserja, e cila kishte pritur të gjente të paktën ndonjë botim të ri të Dritëro Agollit.

Por, jo vetëm autorë të vjetër, si Agolli, apo Kadare, por as edhe botimet më të fundit të këtij viti në Shqipëri, nuk gjendeshin në panairin më të madh të librit në botë. E vetmja sipërmarrje librash, që mendon se ia vlen investimi vjetor prej mbi katërmijë Eurosh për katër metra katrorë stendë, është agjencia tregtare Botimpex, e cila bën kështu që edhe Shqipëria të jetë një nga 111 vendet pjesëmarrëse në këtë ngjarje kaq të rëndësishme të botës së librit.

Amerika Latine në fokus

Në qendër të vëmendjes së panairit të këtij viti ishte Amerika Latine, prej të cilës nuk vinte vetëm vendi mysafir, Argjentina, por edhe nobelisti i 2010-ës, Mario Vargas Llosa. Shkrimtari peruan në në vitin 1996 në Kishën e Paulit në Frankfurt pat marrë çmimin e Librarëve gjermanë, ashtu sikurse të dielën shkrimtari izraelit David Grossman. Por viti 1996 lexuesve të diasporës u ka mbetur në kujtesë për diçka tjetër: “Stenda kishte më shumë gjallëri, lexime, promovime librash, aktivitete të shumta," kujton Sylejaman Salihu.

Këtë vit i vetmi zë shqiptar, që u dëgjua në panair, ishte ai i shkrimtarit dhe politikanit nga Tirana Ben Blushi. Me kolegët e tij nga Kroacia e Serbia, Edo Popoviç dhe Sasha Oliç, si dhe shkrimtarin hungarez Geërgy Dalos, në një aktivitet të organizuar nga fondacioni S.Fischer ai debatoi për kulturën e tranzicionit në vendet e Ballkanit.

Politika a paraja?

Ndërsa stenda e Kosovës përveç librave nuk kishte asnjë aktivitet promovues. “Shkarkimi i presidentit luajti njëfarë roli, sepse një pjesë e personave, që donim të promovonim ne këtu, kanë qenë pjesë e jetës politike, rrethanat ndryshuan në momentin e fundit dhe ne u ndodhëm para akteve të kryera”, justifikon mungesën Besian Zeneli, nënkryetar i shoqatës së botuese të Kosovës.

Hasan Zeka, nga ministria e Kulturës së Kosovës, e hedh poshtë këtë arsyetim dhe thotë se mungojnë të ardhurat e duhura për promovime. “Buxheti i librit në Kosovë i kap 200 mijë euro në vit”, thotë Zeka, “prej tyre dhjetëmijë Euro janë harxhuar për këtë panair, pjesa tjetër nevojitet për panairin e Prishtinës, aktivitetet promovuese në Kosovë, apo pjesëmarrjen në panairin e Tiranës”.

Por edhe ashtu stendat e Kosovës ishin të varfra: Njëra nga shtëpitë botuese më me traditë, Dukagjini, mungonte fare, të tjerat kishin dërguar disa libra. I vetmi botues, që ishte i pranishëm edhe fizikisht ishte Buzuku, që që nga 1996-a nuk ka munguar asnjëherë në panair. Përfaqësuesi i tij Artan Zeneli ia njeh dobinë pjesëmarrjes, prandaj edhe është i kënaqur: “Mjafton që u takuam me njerëzit, me partnerët tanë nga vendet e tjera të botës, që e pamë se cilat janë tendencat e zhvillimit të tregut botëror të librit,” thotë ai.

Deutsche Welle

KOMENTE