English

Bashkia: Berisha nuk firmos dy praktika koncesionesh për parkime nëntokësore

Tiranë, 13 tetor, NOA – Ndërsa kryeministri Sali Berisha akuzoi Bashkinë e Kryeqytetit se në 12 vjet qeverisje nuk ka ndërtuar asnjë parking në kryeqytet ka reaguar edhe Bashkia e Tiranës.

Zëdhënësi i bashkisë, Florion Serjani i cilësoi deklaratat e kryeministrit qesharake duke argumentuar se kryeministri Berisha nuk ka miratuar ende dy projekte për parkime nëntokësore në kryeqytet.

“Për të qeshur dhe për të qarë, që Kryeministri mban prej vitesh në sirtar dy praktika koncesionesh të miratuara nga Këshilli Bashkiak i Tiranës, për dy parkime nëntokësore që presin vetëm firmën e tij”, tha Serjani.

Sipas zëdhënësit të Bashkisë është faji i kryeministrit Berisha që nuk di si funksionon qyteti dhe se fajin për mungesën e parkingjeve e ka vetëm ai.

“T’i mësosh, zotit Sali Berisha, se ç’është qyteti dhe si organizohet ai, është e pamundur, por sot i themi me plot gojën, se për mungesën e parkimeve nëntokësore në Tiranë, fajin e ka Sali Berisha”, bëri me dije Serjani.

Zëdhënësi i Bashkisë së kryeqytetit tha se “faji është i kryeministrit edhe për problemet ende të pazgjidhura me trafikun në Tiranë, si dhe për pamundësinë e Bashkisë së Tiranës, për të bërë akoma më shumë për qytetarët”.

mit/NOA
KOMENTE