English

Berisha: Buxheti 2009, buxheti i finalizimit të projekteve të mëdha

Tiranë, 14 tetor, NOA – Kryeministri Sali Berisha e ka cilësuar buxhetin e vitit 2009 si buxhetin më ambicioz në historinë e vendit, një buxhet që solli kushte më të mira jetese për qytetarët si dhe zhvillim në ekonominë shqiptare, një segment i ekonomisë globale.

“Ky buxhet finalizoi projekte të rëndësishme të infrastrukturës së vendit duke tejkaluar disa herë parashikimet për rrugët e vendit, sikundër ajo e Kombit”, deklaroi kryeministri në seancën plenare të Kuvendit.

“Jam i bindur se çdo qytetar i këtij vendi ndjehet i vlerësuar maksimalisht ndaj buxhetit që po shqyrtojmë. Janë mbi 800 mijë familje shqiptare, të cilët në rrogat dhe pensionet patën një rritje më shumë se në të gjitha vendet e tjera, të cilat përkundër nesh u detyruan të bëjnë shkurtime prej 40 përqind”, tha shefi i ekzekutivit.

Kryeministri hodhi poshtë deklaratat e socialistëve se rritja e rrogave dhe pensioneve është kriminale, elektorale, janë të gënjeshtërta, pasi sipas tij ato ishin premtimi i qeverisë se nuk do të ketë pensione nën 100 dollarë në qytet dhe se do të dyfishoheshin rrogat e arsimtarëve.

“Jam krenar se këto objektiva u zbatuan pikur për pikë dhe u zbatuan në një kohë të vështirë”, tha kryeministri Berisha.

Kryeministri Berisha garantoi se rrogat dhe pensionet do të vazhdojnë të rriten, pasi administrata duhet të shpërblehet sa më mirë, e bashkë me të edhe pensionistët duhet të shpërblehen për mundin e djersën e tërë viteve të punës.

“Buxheti i vitit 2009 i dha një përgjigje arsimit, se nuk ka tashmë asnjë arsimtar që kërkon të largohet nga puna, bëri shkollat me internet, bëri të mundur që Shqipëria të ecë drejt erës dixhitale”, sqaroi kryeministri.

“Ky buxhet ndoqi objektiva madhorë në infrastrukturën e vendit. Ne jemi zotuar që do të asfaltojmë çdo rrugë, çdo qoshe larg kryeqytetit në mënyrë që të afrohet shumë shpejt çdo qytetar drejt qytetit”, siguroi shefi i ekzekutivit.

Në një replikë me opozitën, kryeministri Berisha deklaroi se buxheti bëri që Shqipëria të ketë shkolla të reja, dhe të ketë më shumë studentë në shkollat tona, tha kryeministri.

Sipas shefit ekzekutivit, “buxheti mbështeti zgjedhjet më të lira të vendit, bëri që të kemi regjistrin e zgjedhësve dhe bëri që shqiptarët të pajisen me pasaportat biometrike e kartat e identitetit si dhe të vijojë lufta kundër kriminalitetit.

“Ky buxhet ishte prej 386 miliardë lekësh, por Shqipëria ka nevojë rishtas për një buxhet edhe më të madh”, tha kryeministri.

“Ky buxhet ishte një buxhet i paprecedent në historinë e këtij vendi, për kushte në të cilat funksionoi, pasi vuri në jetë të gjitha detyrimet që kishim përpara”, tha kryeministri, duke i bërë thirrje opozitës ta shohë me përkushtim dhe jo ideologji totalitare e cinizëm.

“Ju ftoj të amendoni, të kritikoni, të sugjeroni për buxhetin, se është buxhet i axhendës së qeverisë, se ju për këtë jeni këtu në kuvend, dhe nuk jeni këtu me vullnetin tim, por me atë të zgjedhësve shqiptarë”, u tha kryeministri socialistëve.

mit/NOA
KOMENTE