Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Çka jemi dhe çka kemi?
English

Çka jemi dhe çka kemi?

Nuk është e mundshme edhe të mos pajtohesh me qeverisjen e korruptuar, edhe të mendosh se e kemi atë qeveri të cilën e meritojmë. Ose nisesh nga racionalizimi i padrejtësisë dhe përfundon në inferioritet skllavërues, ose – dhe kështu duhet – nisesh nga mospranimi i realitetit të padrejtë dhe... nisesh, për ndryshimet që i do

Nga Albin Kurti

Pamundësia me të cilën janë të rrethuar qytetarët e Kosovës në përditshmërinë e tyre, prej lart interpretohet si paaftësi e përgjithshme e shoqërisë. Në anën tjetër, paaftësia e politikanëve të Kosovës që është tipar i përgjithshëm i tyre, interpretohet nga vetë ata si pamundësi e pushtetit të kufizuar që kanë. Kështu është kur plagës i shtohet fyerja.

Njerëzit janë të varfër e të papunë jo pse kështu ka thënë Zoti apo pse kështu i ka kushtëzuar natyra. As pse ata kanë ndonjë kulturë inferiore a defiçiencë kulturore që doemos i lë të prapambetur. Njerëzit janë të varfër e të papunë sepse janë bërë të varfër e të papunë. Politikat e mbrapshta qeveritare dhe sistemi i padrejtë socio-ekonomik i varfëron e i nxjerr njerëzit nga puna.

Në Kosovë vijon të jetë në modë citimi i asaj thënies së famshme për atë se si çdo popull e ka atë qeveri që e meriton. Aq e përhapur është kjo thënie saqë askush tashmë nuk e di që autori i saj është Joseph De Maistre. Mirëpo, ka një thënie të një francezi tjetër, të kundërt për nga domethënia, e të cilën nuk e kam dëgjuar ta ketë cituar kush te ne. Jean-Jacques Rousseau ka shkruar diku se çdo qeveri e ka atë popull që e krijon.

Më parë sesa gjurmimin e të vërtetës sonë përmes këtyre dy thënieve, duhet parë të vërtetën brenda vetë këtyre dy thënieve, përkatësisht motivet dhe pasojat e dy parafrazimeve të mësipërme. Me fjalë të tjera, le t’i trajtojmë De Maistre-in dhe Rousseau-në si dy kriminelë.

Joseph De Maistre, filozof e diplomat i fundit të shekullit XVIII dhe fillimit të atij XIX, senator dhe i biri i kryetarit të Senatit, ka qenë kundër revolucionit borgjez francez që përmbysi absolutizmin monarkik dhe rendin feudal. Ai deri në fund të jetës së tij përmes shkrimeve, fjalimeve e punimeve ka kërkuar kthimin e monarkisë dhe të autoritarizmit dhe dominimin e Papatit. Në anën tjetër, Jean-Jacques Rousseau, filozof dhe shkrimtar i shekullit XVIII, me kritikën e tij ndaj pabarazisë dhe afirmimin e asaj që e quante vullnet i përgjithshëm, e inspiroi revolucionin e vitit 1789 i cili do ta ndryshojë përgjithmonë Francën dhe Evropën. Që prej atëherë, çdokush që është përpjekur të kuptojë teoritë politike a sociologjike, shtetin a historinë, e ka pasur të pamundur ta evitojë Rousseau-në.

Të dy thëniet gjithsesi janë thellësisht politike dhe krejtësisht të kundërta. Joseph De Maistre, duke thënë që çdo popull e ka qeverinë që e meriton, bënte përgjegjës popullin dhe shfajësonte qeverinë. Jean-Jacques Rousseau, duke thënë që çdo qeveri e ka popullin që e krijon, fajësonte pikërisht qeverinë. I pari, përpiqej ta racionalizonte realitetin; i dyti, inkurajonte realizimin e racionales. I pari, kërkonte pranimin e qeverisë (nga populli); i dyti kërkonte pranimin e popullit (nga qeveria). I pari i frikësohej të resë që mund të vie; i dyti frikësohej se e vjetra mund të mos shkojë.

Por, le ta ndërprejmë gjithë këtë shtjellim. Pra, kemi (aso qeverie) ashtu siç jemi (si popull), apo jemi (si popull) ashtu siç kemi (qeverinë)? Përgjigja e denjë për këtë pyetje është veçse një pyetje tjetër: a duam ndryshime?

Nuk është e mundshme edhe të mos pajtohesh me qeverisjen e korruptuar, edhe të mendosh se e kemi atë qeveri të cilën e meritojmë. Ose nisesh nga racionalizimi i padrejtësisë dhe përfundon në inferioritet skllavërues, ose – dhe kështu duhet – nisesh nga mospranimi i realitetit të padrejtë dhe... nisesh, për ndryshimet që i do.

KOMENTE