English

Opozita shqiptare, protesta dhe bojkot për regjistrimin në Maqedoni

Shkup, 14 tetor, NOA – Partitë politike shqiptare paralajmërojnë radikalizmin e veprimit të tyre politik, lidhur me regjistrimin e popullsisë.

Demokracia e Re (DR) paralajmëroi fillimin e protestave në rast se nuk do të përfillet kërkesa e tyre për ndryshimet e Ligjit për regjistrimin si dhe datën e mbajtjes së tij.

“Shumë serioz jemi në këtë drejtim. Nëse nuk plotësohet kërkesa jonë që regjistrimi të jetë në korrik, do të bëjmë thirrje për protesta para Parlamentit, atëherë kur do të votohet ligji”, theksoi kryetari i DR-së, Imer Selmani, partia është alarmuar për mundësinë e manipulimit të këtij procesi me shifrat e shqiptarëve.

Paralajmërimi i DR-së u bë pas kalimit të fazës së parë të Ligjit për regjistrim në seancën e fundit parlamentare.

Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) do të ftojë shqiptarët të bojkotojnë regjistrimin në rast se nuk plotësohen kërkesat e tyre: mbajtja e regjistrimit në muajin korrik, mundësia e regjistrimit të qytetarëve që nuk kanë shtetësi të Maqedonisë, si dhe formimin e një trupi mbikëqyrës të përbërë nga përfaqësues të katër partive më të mëdha politike.

“Nëse nuk merren parasysh këto kërkesa, PDSH do ti bëjë thirrje shqiptarëve që ta bojkotojnë regjistrimin”, deklaroi anëtari i kryesisë së PDSH-së, Imer Aliu.

Protesta dhe radikalizëm të qëndrimeve kundër regjistrimit pritet të ndërmarrin edhe një numër i madh i shoqatave joqeveritare shqiptare. Pranë Këshillit të Organizatave Shqiptare (KOSH) ku bëjnë pjesë rreth 40 shoqata joqeveritare po shqyrtohen variantet e reagimit lidhur me regjistrimin e popullsisë.

Nga ana tjetër, BDI ka hedhur poshtë paralajmërimet e opozitës, duke theksuar se janë plotësuar të gjitha kushtet që garantojnë një proces transparent të regjistrimit.

“Periudha e paraparë për regjistrim është periudhë e preferuar dhe e rekomanduar nga ekspertë që merren me çështje të regjistrimit, dhe kjo periudhë aplikohet thuajse në të gjitha vendet që bëjnë regjistrim të popullatës”, ka bërë të sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Abdilaqim Ademi.

Regjistrimi i popullsisë në Maqedoni do të realizohet nga 1 prilli e deri më 15 prill të vitit 2011. Partitë e koalicionit VMRO-DPMNE dhe BDI kanë arritur marrëveshje që regjistrimi të realizohet nga Komisioni Shtetëror i Regjistrimit (KSHR) në bashkëpunim me Entin Shtetëror të Statistikave (ESHS), duke përfshirë edhe një monitorim sipërfaqësor nga Eurostat, institucioni i BE-së për statistika.

NOA-INA

KOMENTE