Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Përshtypjet e mia këtu në Kosovë
English

Përshtypjet e mia këtu në Kosovë

Do të vazhdojmë të mbështesim Kosovën që ta kryejë punën e vështirë në krijimin e një vendi stabil, përparimtar dhe demokratik, që është në paqe me të gjithë fqinjët dhe është i integruar gjithnjë e më shumë në komunitetin euroatlantik

Nga Hillary Clinton

Është kënaqësi që jam këtu në Prishtinë. Dua t’ju falënderoj për mirëseardhjen e ngrohtë tuajën, të Presidentit në detyrë, Ministrit të Punëve të Jashtme dhe nga gjithë populli i Kosovës, i cili kishte dalë në pritje dhe me të cilët u përshëndeta te shtatorja e burrit tim. Jam këtu edhe në emër të Presidentit Obama, jo vetëm zyrtarisht si Sekretare e Shtetit por edhe si anëtare e një familjeje që ishte shumë e përkushtuar për lirinë e këtij vendi. Takimi vjen pas udhëtimit të paradokohshëm të Kryeministrit Thaçi në Uashington, ku u takua me Nënkryetarin Biden dhe pastaj u takuam së bashku në Departamentin e Shtetit. Më vjen shumë mirë që kam qenë mikpritëse e tij atëherë dhe që jam mysafire e tij tash. Për mua personalisht është një nder i madh. Po ashtu dua ta bëj një përshëndetje të madhe për trupat amerikane dhe për trupat e shteteve tona aleate dhe partnere që shërbejnë në kampin Bondstill. Më vjen keq që nuk do të mund të shkoj dhe t’i vizitoj personalisht gjatë këtij udhëtimi, por unë dua t’i falënderoj për të gjitha ato që janë duke bërë për stabilitetin e shtetit të Kosovës dhe të mbarë rajonit. Presidenti Obama dhe unë jemi të përkushtuar t’iu përkrahim që të arrini stabilitet të qëndrueshëm. Bashkëshorti im, Presidenti Clinton, e ndan angazhimin dhe përkushtimin tonë dhe është shumë i lidhur me këtë vend. Si President, ai ka punuar shumë për t’i ndihmuar popullit të Kosovës që të jetojë në paqe dhe i lirë nga persekutimi. Ai, unë dhe Presidenti Obama, si dhe të gjithë amerikanët, kemi qenë krenarë që kemi qëndruar pranë kosovarëve dhe me kalimin e kohës jemi krenarë që jemi miqtë dhe partnerët tuaj. Jemi të impresionuar me të gjitha që keni arritur në këto vite të kaluara. Qëndrimi im këtu është një votë e mirëbesimit, Kryeministër, për atë që jeni duke e bërë dhe në angazhimi tuaj për të krijuar një të ardhme të re jo vetëm për Kosovën por edhe për tërë rajonin. Ju falënderoj të gjithëve që jeni pjesë e këtij përkushtimi të madh. Kosova dhe Shtetet e Bashkuara kanë qenë partnerë gjatë luftës dhe në udhëtimin e Kosovës drejt pavarësisë. Që nga fillimi, Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur të drejtën e Kosovës për të ekzistuar si shtet sovran dhe i pavarur në kuadër të kufijve të vet. Ne e kemi mirëpritur vendimin e GJND-së, vendim që ka afirmuar të drejtën ligjore të Kosovës që të shpallë pavarësinë. Tash do të vazhdojmë të mbështesim Kosovën që ta kryejë punën e vështirë në krijimin e një vendi stabil, përparimtar dhe demokratik, që është në paqe me të gjithë fqinjët dhe është i integruar gjithnjë e më shumë në komunitetin euroatlantik. Për këtë qëllim, Shtetet e Bashkuara janë të inkurajuara që të nxisin dialogun i cili do të zhvillohet në mes të Kosovës dhe Serbisë, që iu ofron të dy vendeve zgjidhjen e çështjeve teknike, tejkalimin e pengesave dhe fqinjësi të mirë. Ashtu siç ka thënë Kryeministri Thaçi sot dhe Presidenti Tadic dje, disa çështje si statusi, sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës, nuk do të diskutohen. Mirëpo, liderët e të dy vendeve duhet t’i qasen dialogut me mirëbesim dhe duke respektuar shqetësimet e njëri tjetrit. Këto bisedime paraqesin një mundësi për t’i adresuar nevojat e menjëhershme dhe për t’i vënë përpara objektivat reciprokisht të dobishme. SHBA-të kanë kërkuar nga Serbia dhe nga Kosova që të ulen në një tryezë. Ne e dimë që kosovarët tashmë kanë paraqitur një kornizë dhe po bëjnë punën themelore për një raport pozitiv dhe afatgjatë. Kjo nuk është e lehtë, ne e kuptojmë këtë, mirëpo ka shumë vende në Europë, si Franca dhe Gjermania, të cilat tash bashkëpunojnë, bëjnë tregti dhe punojnë së bashku. Shpresojmë që në të ardhmen ta themi të njëjtën gjë edhe për Serbinë dhe Kosovën. Si shtet i ri me një popullatë dinamike, shumetnike dhe me popullsi më të re në Europë, siç pash edhe në rrugë, ku pata rast t’i shoh edhe fëmijët, Kosova duhet të bëjë shumë gjëra përnjëherë, të krijojë traditën e demokracisë dhe të vendosë institucione të fuqishme publike për të nxitur zhvillimin ekonomik, të tërheqë investime të huaja dhe të krijojë vende pune për gjithë të rinjtë. Të vazhdojë me një plan transparent për t’i privatizuar ndërmarrjet shtetërore, siç është KEK-u dhe PTK-ja, të krijojë një përkushtim të fuqishëm ndaj sundimit të ligjit, zgjedhjeve të drejta, të lira dhe transparente, si dhe të inkurajohen njerëzit që të jetojnë në harmoni pavarësisht nga prejardhja etnike dhe të krijojnë një të ardhme të përbashkët. Të gjitha këto detyra janë me rëndësi themelore dhe asnjëra prej tyre nuk është e lehtë. SHBA-të do të vazhdojnë të ofrojnë ndihmë për popullin e Kosovës derisa ju punoni për t’i arritur këto objektiva. Gjatë ditëve dhe muajve në vijim do të ndihmojmë edhe për zgjedhjet që janë me rëndësi, dhe për të cilat e dimë se do të jenë transparente, të besueshme dhe do ta respektojnë rendin kushtetues. Ne mbështesim zhvillimin e sektorit privat të Kosovës dhe shohim potencial të madh të zhvillimit të ekonomisë së Kosovës, sidomos nëse investoni në të rinjtë tuaj të cilët janë resursi juaj më i madh. Ne do të mbështesim Kosovën edhe në përafrimin e saj me institucionet euroatlantike, siç janë BE dhe NATO. Ato përfaqësojnë mundësinë më të mirë për një të ardhme afatgjate stabile dhe prosperuese për Kosovën. Ne do të ndihmojmë derisa Kosova të punojë për të integruar komunitetin serb në vend. Trashëgimia shumetnike e Kosovës është krenaria e shumë qytetarëve tuaj. Ne e dimë që diversiteti juaj është fuqi të cilën e ndajmë me ju dhe e respektojmë në SHBA. Sot do të shkoj në njërin prej thesareve kulturore të Kosovës, në Manastirin e Graçanicës, një vend ortodoks serb, që daton që nga shekulli i XIV’të. Po ashtu, do të vizitoj edhe kryetarët e sapozgjedhur të komunave me shumicë serbe, të cilët janë duke ndjekur rrugën e angazhimit dhe bashkimit me Qeverinë qendrore. Ata duhet të mbështeten në mënyrë aktive. Pjesëtarët e këtyre komuniteteve do të shohin se duke qenë qytetarë të angazhuar në mënyrë të plotë në Kosovë, kjo shpaguhet me përmirësime konkrete të jetës së tyre. Kjo është një detyrë që kryesisht Qeveria qendrore duhet ta bëjë, mirëpo Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i mbështesin në çdo nivel liderët të cilët punojnë për një Kosovë të bashkuar, diverse dhe demokratike. Nuk ka asnjë dyshim se kjo është një rrugë e gjatë. Nëse duhet të shkojmë së bashku, duhet të jemi të përqendruar se ku do të na shpie kjo rrugë - në një të ardhme të cilën Kosova e pavarur shumetnike është e sigurt, ku ka mundësi për të rinj, ku traditat demokratike janë të fuqishme dhe ku paqja sundon në tërë rajonin. Kjo është një e ardhme për të cilën vlen të punohet. Kosova duhet të udhëheqë vetë, mirëpo duhet ta dini Kryeministër, ashtu siç kemi qenë me ju në rrugën e vështirë të pavarësisë, ne do të qëndrojmë me ju edhe më tej. Ne jemi partnerët tuaj, miqtë tuaj dhe jemi të përkushtuar për të ardhmen tuaj. * Fjalimi i Sekretares Amerikane të Shtetit, mbajtur në Prishtinë

KOMENTE