English

Albtelecom, 30 mijë euro për fëmijët në nevojë

Tiranë, 15 tetor, NOA - Albtelekom ka ofruar sot 30 mijë euro ndihmë financiare për ngritjen dhe funksionimin e një qendre sociale për fëmijët në nevojë.

Ngritja e Qendrës Kombëtare të Zhvillimit për Fëmijë është pjesë e aktivitetit të fondacionit të fëmijëve, “Domenick Scaglione”. Në ceremoninë e hapjes së qendrës kanë qenë të pranishëm Drejtori i Përgjithshëm i Albtelecom, Sevket Acar dhe Presidentja Fondacionit Fëmijët Shqiptarë, Liri Berisha.

“Jam krenar që Albtelecom, pjesë e Grupit Calik mbështet këtë projekt kaq të rëndësishëm në ndihmë të fëmijëve shqiptarë. Qëndrimi ynë aktiv në mbështetje të nismave që ndihmojnë sadopak në zgjidhjen e problemeve sociale është pjesë themelore e principeve tona si kompani,” u shpreh Acar.

Nga ana tjetër ai ka shprehur mbështetjen e kompanisë për fondacionin e drejtuar nga Liri Berisha. Acar ka theksuar se çdo fëmijë, apo dhe shtresat e tjera në nevojë janë pjesë e projekteve të përgjegjësisë sociale të kompanisë,

Acar ka vlerësuar se përparësi e mbështetjes janë fëmijët në nevojë, të cilët përballen çdo ditë me pamundësinë, varfërinë, problemet shëndetësore dhe rreziqe të tjera evidente. “Jam krenar që Albtelecom si pjesë e Grupit Çalik, mbështet këtë projekte kaq të rëndësishme për fëmijët shqiptarë në nevojë,” tha ai.

Nga ana e saj Presidentja e Fondacionit Fëmijët Shqiptarë, Liri Berisha shprehu mirënjohjen e saj dhe të fondacionit për mbështetjen e ofruar nga Albtelecom.

Ajo tha se qendra e re do të krijojë kushte bashkëkohore për trajtimin e përditshëm të më shumë se 100 fëmijëve si dhe vlerësimin dhe diagnostikimin të më shumë se 1,000 fëmijëve në vit.

“Unë Ju jam mirënjohëse për këtë kontribut që kompania ofron në ndihmë të fëmijëve në nevojë. Shëndeti i fëmijëve është një temë që na prek të gjithë dhe për këtë arsye çdo mbështetje për ta është një kontribut i vyer që i bëhet shoqërisë,” tha Berisha.

Projekti i financuar nga Albtelekom do të ketë ambiente të nevojshme për psikologe, logopediste, punonjës sociale, terapistë për të kryer terapi individuale dhe grupi, si dhe këshillime për prindërit.

Qendra është konceptuar gjithashtu si një bërthamë shkencore ku specialistë të ndryshëm nga Shqipëria të kenë mundësinë të kryejnë kërkime shkencore në fushën e Autizmit dhe zhvillimit të fëmijëve, duke patur në dispozicion si ambientet klinikë ashtu edhe ambientet e bibliotekës.

a.k/NOA

KOMENTE