Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Edi Rama: Protestat e Tetorit? Më pyesni ditë e javët e ardhshme
English

Edi Rama: Protestat e Tetorit? Më pyesni ditë e javët e ardhshme

>> Berisha, ja urimi për Ramën

>> Dasma, fundjavën që vjen

>> PS konfirmon: Kryetari po martohet

Tiranë, 15 Tetor 2010 NOA – Protestat e Tetorit për të cilat ishte publikuar nga selia opozitare një kalendar i ngjeshur në tetor me finalizim në fund të muajit në kryeqytet, nuk kanë nisur dhe një përgjigje për fillimin e mundshëm të tyre nuk do të jepet para ditëve ose havive të ardhshme.

Të paktën kështu deklaroi sot, kryetari i Partisë Socialiste, z.Edi Rama në një bisedë me mediat. Rama tha se protestat, “gjërat që do t’i mësoni ditëve dhe javëve të ardhshme, le t’ia lëmë pyetjeve dhe përgjigjeve të javëve të ardhshme”.

Vijon më poshtë bashkëbisedimi i plotë i z.Rama me gazetarët:

Z.Rama, ish-Ministri i Ekonomisë, z.Dritan Prift u tërhoq nga disa akuza ndaj jush dhe z. Braçe. A do të jeni kaq krahëhapur sa për z.Stërkaj që ta keni dhe z.Prifti pjesë të grupit tuaj parlamentar?

Unë do të thosha me një fjalë që sigurisht tërheqja nga ato akuza më gëzon, por në anën tjetër rruga e mundshme e kthimit drejt Partisë Socialiste në rastin konkret është e gjatë.

Prej dy javësh dëgjojmë kryeministrin që ju bën thirrje të ndryshoni pozicionin tuaj dhe të votoni draftin për Gjykatën Administrative. Ndërkohë ju ditën e hënë keni patur një takim me zv. ambasadoren amerikane, a keni biseduar me të për këtë çështje, pikërisht për Gjykatën Administrative? A ju ka kërkuar ajo sikundër dhe kryeministri të ndryshoni qëndrimin tuaj dhe në të vërtetë do të ketë një ndryshim të qëndrimit të PS?

Pas takimit me aleatët u deklarua se mbas datës 15 do të fillojnë protestat, a do të ketë një datë të saktë dhe një qytet të saktë se kur do të fillojnë ato?

Është spekuluar mbi atë takim. Ai takim është kërkuar nga unë dhe ka qenë tërësisht miqësor dhe të gjitha komentet e bëra kanë qenë jashtë kontekstit. Qëndrimi ynë nuk ndryshon.

Për protestat, gjërat që do t’i mësoni ditëve dhe javëve të ardhshme, le t’ia lëmë pyetjeve dhe përgjigjeve të javëve të ardhshme.

Meqë jemi këtu, ka një informacion që protestat tuaja nuk do të fillojnë përpara datës 8 nëntor, që përkon me mbledhjes e Ministrave të Brendshëm të BE që do të japin vendimin përfundimtar për liberalizmin e vizave me Shqipërinë. A lidhen protestat tuaja me këtë datë dhe me këtë vendim të Ministrave të Brendshëm të BE?

Lidhja midis të dyjave është një lidhje që bëhet për faj të Sali Berishës. Nuk ka asnjë lidhje.

Këshilli Mandateve mori vendimin të dërgojë në parlament raportin për heqjen e imunitetit të Ilir Beqaj. Kush është qëndrimi juaj për këtë çështje?

Unë jam krenar që kam një mik dhe një bashkëpunëtor si Ilir Beqaj dhe jam i bindur se kjo farsë e shëmtuar politike, shprehje e drejtpërdrejtë e kulturës së fabrikimit të çështjeve të paqena përmes shpifjeve do të zhbëhet në dritën e së vërtetës.

A i ka dhënë PS tremijë votë LSI për fitimin e mandatit, siç është shprehur ish ministri Prifti?

Jo

U bë një vit që situata politike është kjo që është. Ju vazhdoni të kërkoni transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit, ndërkohë që nga ana tjetër nuk ka një tërheqje le të themi për kutitë e fletëve të votimit. A keni menduar një strategji që të mund të dilet që kjo situatë të mos jetë më e njëjta? Kjo sepse zgjedhje të parakohshme nuk do të ketë, me aq sa tha dhe zv. kryeministri dje. Keni një strategji?

Në qoftë se i drejtoheni Ilir Metës si burim, e keni burim të sigurt. Thjeshtë në respekt të profesionit tuaj të paktën fshijeni nga vendi i burimeve të sigurta, se keni që sa herë flet nuk mban përgjegjësi për atë që thotë dhe thotë gjithçka të kundërtën e gjithçkaje. Ndërsa përsa i përket asaj që para një viti situata nuk ka ndryshuar është një pyetje për qeverinë, jo për opozitën. Se është njësoj si të thuash vendi është i pushtuar, pushtuesit nuk tërhiqen hajt tërhiqemi ne. Ne nuk tërhiqemi.

Pamë dje në votimin në parlament të disa marrëveshjeve, në të cilat prapë PS nuk mori pjesë. Mendoni se duhet ndarë qëndrimi i grupit socialist në parlament për çështjet politike dhe atyre që kanë të bëjnë për çështje ekonomike, shëndetësore, mirëqenien e qytetarëve etj. Kujtoj dje u votuan disa marrëveshje që kishin të bëjnë me modernizimin e spitaleve me aparatura që deri më sot nuk janë dhe PS le të themi ngeli jashtë kësaj ndihmese, e pse nuk duheshin votat?

Sa ligje janë bërë në këto 20 vjet për modernizimin e spitaleve? Sa ligje janë bërë në këto 20 vjet për modernizimin e arsimit? Sa ligje janë bërë në këto 20 vjet për modernizimin e vendit në tërësi? Ku është modernizimi? Qëndrimi ynë ka të bëjë me faktin e thjeshtë se Shqipërisë nuk i mungojnë me atë çka i mungojnë në jetën e përditshme. Po i mungon ligjshmëria, zbatimi i ligjit dhe kërkesa jonë për transparencën është gur themeli për të shprehur vullnetin e dyanshëm që ligjet që votojmë të jenë të zbatuara pa kushte. Në rast se në këtë vend ligjet do të jenë thjeshtë letra dhe në realitetin e përditshëm qeveritë do të vazhdojnë të bëjnë të kundërtën e asaj që miratohet në parlament, ky vend ka marrë fund. Prandaj ne duam të kthejmë këtë tendencë historike të këtyre 20 vjetëve që është forcuar posaçërisht në 10 vitet e fundit, që arriti kulmin në zgjedhjet e shkuara, që ndan me një hendek të thelluar çfarë parlamenti miraton me çfarë qeveria ekzekuton. Çfarë shkruhet në ligj me çfarë bëhet në realitet. Refuzimi ynë me çfarë shkruhet në ligje ka të bëjë me refuzimin tonë për të qenë pjesë e një farse e cila tregon se në Shqipëri ka parlamentarizëm dhe ligje të miratuar përmes një procesi normal, ndërkohë që e vërteta është krejt ndryshe. Në Shqipëri ka një hendek që ne jemi të vendosur që luftojmë me gjithçka kemi ne në dorë për ta mbyllur hendekun mes ligjit dhe maliqit.

Kjo që thoni është e drejtë, po në një proces rotativ mendoni që kështu do të eci edhe opozita e nesërme dhe nuk do të jetë e mundur as të miratohen ligje, as të ngrihen gjykata e asgjë tjetër dhe sistemi zgjedhor që është zgjidhur nuk krijon shumica absolute që të mos jetë opozita. Pra si do të krijohet kjo klimë bashkëpunimi pozitë – opozitë, që të miratohet dhe ligjet dhe gjykatat dhe të zbatohet?

Nuk duhet të ndërrojmë ndonjë sistem zgjedhor ku nuk duhet opozita. Duhet të punojmë të gjithë së bashku për një demokraci funksionale. Ku roli i opozitës është i garantuar dhe i patjetërsueshëm.

Duke ju përgjigjur pyetjeve tuaja, më lejoni t’ju them se në rast se opozita e nesërme do ketë të drejtë, jo vetëm do duhet të bëjë të njëjtën gjë por duhet të ketë edhe një mbështetje nga ju, që opozita sot për fatin e keq nuk e ka. Jo për fatin e keq tonin, për fatin e keq tuajin.

Besoni se me këto protesta do arrini në zgjedhje të parakohshme duke patur parasysh se kjo si strategji është konsumuar jo më larg sesa pranvera e këtij viti?

Kjo është njësoj si të thuash që historia e njerëzimit duhet të kishte mbetur në vend qysh në procesin e parë dhe të gjitha ato procese historike që e kanë transformuar zhvillimin njerëzor përmes betejash që kanë zgjatur me vite, me dekada e me shekuj, të mos ishte realitet. Të thuash që u konsumua kjo përpjekje, nuk u arrit gjë, tirania është aty. Prandaj shikoni mos bëni ndonjë gjë tjetër do të thotë thjesht dhe vetëm të pranosh tiraninë si një fakt të kryer. Nuk ka konsum të përpjekjeve që bazohen në liri dhe të drejta. Liritë dhe të drejtat mbrohen, për liritë dhe të drejtat luftohet pa llogaritur çmimin dhe vitet.

Prej disa javësh kemi parë prokurorinë e Tiranës të lëvizë ndaj akuzave të ndritura të opozitës. Kemi parë edhe fillimin e hetimeve për disa çështje. Mendoni se këtë herë do të jemi përpara rezultateve konkrete apo mendoni se do të jemi sërish dëshmitarë të mos ndëshkueshmërisë së personave me imunitet?

Në radhë të parë përfitoj nga mundësia që më jepni ju me pyetjen tuaj për të bërë një koment. Kam dëgjuar gjatë gjithë kësaj periudhe mendimtarë, opinionistë, gazetar që të thonë se politika nuk është kjo dhe se akuzat nuk i shërbejnë vendit, popullit, qëllimeve për të cilat është ndërtuar ky sistem alternativash. Kjo mund të jetë e vërtetë në një vend ku këtë detyrë e bën media, ku këtë detyrë e bën prokuroria, ku këtë detyrë e bën gjykata. Në rast se këto që ndodhin përditë për shkak të keqqeverisjes do të ndodhnin në një vend ku ka demokraci funksionale, një hipotezë e pamundur por për hir të shpjegimit, do të ishte media që do të rendte e para të tregonte të palarat dhe të nxirrte në pah zullumet. Do të ishte prokuroria që do të rendte padyshim pas saj për të bërë verifikimet e vërtetësinë së këtyre zullumeve të pretenduara dhe të palarave të pretenduara nga media. Do të ishin partitë që do të bënin betejën e tyre dhe komentet e tyre. Kështu ndodh normalisht. Nuk dua të them me këtë se media në këtë proces nuk ka dhënë asnjë kontribut. Ju përfaqësoni një media që ka dhënë në ndonjë rast shembullin konkret të kapjes së shtetit dhe ka nxjerr në dritë faktet dhe provat të cilave ne i jemi referuar. Por ky nuk është tipari dhe karakteristika e qasjes së medias ndaj keqqeverisjes dhe korrupsionit. Ky është një përjashtim nga rregulli siç mund të jetë edhe për një media tjetër edhe për një gazetë tjetër, por janë raste sporadike, ndërkohë që jemi ne të detyruar ta bëjmë këtë. Më lejoni t’ju them se jo në një rast na ka ndodhur që të mos kemi asnjë media të gatshme që të publikojë gjëra që kanë të bëjnë pikërisht me prova dhe me fakte.

Thënë të gjitha këto, unë dua të shpresoj se vënia në lëvizje e prokurorisë së fundi nuk është xhiroja boshe radhës dhe nuk është thjesht nga belaja që e ka gjetur tani prokurorinë. Që për të thënë të drejtën për një periudhë kohe pati një gjumë në dukje të rehatshëm. Unë dua të shpresoj se prokuroria do ti shkoj deri në fund të gjitha akuzave. E kam thënë dhe e përsëris thirrjen që prokuroria të hetojë imtësisht për të gjitha akuzat që janë ngritur ndaj meje. Sigurisht duke kërkuar që të hetojë imtësisht edhe ato akuza që ne kemi ngritur.

Ky territor nuk pastrohet nëse nuk futet pala e tretë. Pala e tretë ka dy duar, median dhe sistemin gjyqësor. Media për të ndihmuar opinioni duke bërë analizat e saj, duke bërë hetimet e saj, duke nxjerrë konkluzionet e saj. Prokuroria dhe gjykata për të bërë detyrën në raport me ligjin. Përsa kohë këto dy duar nuk do të funksionojnë trupi i shoqërisë do të jetë i paralizua nga dëshpërimi dhe nga humbja e shpresës se ky vend mund të bëhet, në trysnin e atyre që ekspozohen çdo ditë, qoftë si prova, qoftë si fakte, qoftë si shpifje dhe si fyerje. Sot është e qartë një gjë, Sali Berisha thuajse nuk përpiqet më të tregojë duart e pastra se po i nxori duket që nuk janë të pastra. Por përpiqet në mënyrë intensive të tregojë që as opozita nuk i ka të pastra. Me qëllimin që ti thotë popullit: shikoni ne vërtet nuk i kemi duart e pastra po s’ka shpresë se të tërë njësoj jemi ne. Kështu që meqë na keni ne, na mbani. Ky është qëllimi dhe sigurisht nuk mund të them se nuk e realizon një pjesë të mirë të këtij qëllimi përderisa mungojnë dy duart për të cilat unë fola, të medias dhe të prokurorisë që ta shoqërojnë të gjithë këtë proces duke zbardhur të vërtetat dhe duke treguar kush ka bërë çfarë. Përmendi, me ngut gazetari rastin e ministrit i cili u tërhoq nga një akuzë e bërë, por të mos harrojmë që deri në momentin që vetë ish-Ministri Ekonomisë u tërhoq, të gjithë mbetën në atë mesin e artë ku thotë kështu këta thonë kështu, këta janë njësoj, politika është një pisllëk. Shqipëria është në duar të këqija, nuk ka duar më të mira dhe rrofshim ne që të paktën rrimë në distancë e bëjmë komente. Ndërkohë që unë besoj që ju i keni të gjitha mundësitë që për çdo gjë që ne themi, për çdo shifër që unë ekspozova sot lidhur me buxhetin faktik të bëni hetimin tuaj dhe të nxirrni konkluzionet tuaja.

Ka kaq kohë që kryeministri flet për një mrekulli ekonomike. Ka kaq kohë që Shqipërisë i tregohet një përrallë me shifra bombastike. Në një vend normal media do ti kishte treguar me kohë sesi qëndron e vërteta e këtyre shifrave dhe se çfarë ka të vërtetë në këtë mrekulli të pretenduar. Ashtu siç do të kishte mbikëqyrur hap pas hapi dhe ç’ka pretendon opozita. Përgjigja ime e gjatë në këtë rast lidhet me nevojën për ta bërë këtë shpjegim dhe për ti dhënë sens një historie që mund të vazhdojë pa fund dhe mund ti vërë për fund të gjithë moralin shoqëror për shkak të dëshpërimit të natyrshëm që krijohet kur shikon një ballafaqim të ashpër ku nuk ka palë të tretë.

Në këtë kuadër, burime nga prokuroria thonë se çështja Tartari është duke u mbyllur dhe nga hetime e bëra nga pala e tretë nga prokuroria, rezulton që janë ndjekur procedurat korrekte në të gjitha koncesionet. Do të thotë që prokuroria nuk ka bërë punën e saj apo jeni nxituar ju në akuzat ndaj zotit Tartari?

Rezulton se nuk ka palë të tretë. Akuza e bërë është e qartë si drita e diellit. Konflikt jo i hapur por i egër interesi. Pastaj të gjitha të tjerat janë llafe.

FUND

KOMENTE