English

Berisha: Për aktin madhor të vizave të gëzohen edhe zemërthyerit, mazhoranca solide

Tiranë, 16 tetor, NOA – “Asgjë nuk mund të prishë aktin madhor historik të shumëpritur prej shekujsh nga shqiptarët”.

Kështu është prononcuar për mediat sot kryeministri i vendit Sali Berisha, pas vizitës në panairin ndërkombëtar “Vjeshtë 2010”.

I pyetur nga gazetarët mbi kritikat e shprehura dje mbi krizën politike nga komisioneri për Zgjerimin Stefan Fule, kritika të cilat mund të rrezikojnë statusin për kandidat të Shqipërisë, shefi i ekzekutivit deklaroi se “vizat janë një nga arritjet më madhore të shqiptarëve që nga pavarësia e tyre. Vizat janë mishërim i asaj që projektonte Sami Frashëri. Vizat janë një rivendosje e plotë e dinjitetit të qytetarëve shqiptarë në raport me liritë evropiane. Pas këtij akti liria shqiptare bëhet liri evropiane”, tha kryeministri.

Sipas tij, ky akt është kurora më e shndritur e përpjekjeve të shqiptarëve për integrimin në BE.

Në këtë kontekst, kryeministri rishtas ka shënjestruar opozitën, duke këmbëngulur se “ata të cilët duan të mbeten zemërthyer nga ky akt dhe sapo morën vesh që po bëhej, shpallen protesta, unë i ftoj që të gëzohen”.

Por, lidhur me zgjedhjet e parakohshme kryeministri Berisha bëri me dije se ai pretendon të fitojë zgjedhjet edhe për dy mandate të tjera qeverisjeje.

“Ju flisni për 2013, kurse unë mendjen e kam tek 2017”, tha zoti Berisha.

Në këtë kontekst kryeministri theksoi se mazhoranca është më e fortë se asnjëherë. “Dhe kjo mazhorancë, ju garantoj se brenda një kohe shumë të shkurtër realizon premtimin e saj më të madh, të këtij 4 vjeçari, realizon lëvizjen e lirë të shqiptarëve. Kjo mazhorancë bëri që me reformat e veta t’i japë ekonomisë shqiptare impaktin, zhvillimin më të madh në tërë historinë e saj. Kjo mazhorancë është mazhorancë e integrimit dhe e suksesit”, nënvizoi kryeministri Berisha.

Ikjen e deputetëve Dritan Prifti dhe Paulin Sterkaj nga maxhoranca, kryeministri e komentoi kështu: “Unë sot po flas këtu, për suksese ekonomike, botërore. Problemi është i thjeshtë, hiqini syzet e thashethemnajës mediatike dhe shihni prozhektorët e realitetit”.

mit/NOA
KOMENTE