English

Ish-pronarët letër Topallit: Kthejani pronën të zotit!

Tiranë, 16 tetor, NOA - Shoqata e së Shpronësuarve “Pronësi me Drejtësi”, i ka dërguar sot një letër kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, lidhur me çështjen e ndëshkimit të komunizmit.

E firmosur nga kryetari i saj, Rrapo Danushi, kjo letër përmban kërkesën që kryeparlamentarja të angazhohet personalisht për të luftuar kancerin që po shkatërron Shqipërinë dhe kombin shqiptar, siç e ka cilësuar ai ligjin 7501.

“Krimet e komunizmit, do të fillojnë të jenë efektivisht të ndëshkuara kur të kthehet fizikisht prona tek i zoti. Vetëm atëherë mund të deklarohet se Shqipëria ka një sistem demokratik. Ne kërkojmë nga ju dhe drejtuesit e shtetit vullnetin politik për të kthyer pronën tek i zoti, për të zbatuar nenin 181 të Kushtetutës në fuqi që vazhdon të përdhoset. Korrigjimi i gabimeve të post-komunizmit me pronat e shtetëzuara padrejtësisht nga komunizmi dhe paralel dhe dëmshpërblimi për të përndjekurit nga Enver Hoxha është në fakt ndëshkimi i komunizmit”, thuhet në këtë letër.

Duke shtuar se janë pushtetarët dhe politikanët shqiptarë që prej 19 vjetësh djegin dhe shkatërrojnë Shqipërinë ashtu si serbi Bogdanov dogji flamurin tonë në stadiumin e Xhenovas”.

Në përfundim, letra shton se prej 19 vjetësh po zbatohen dy standarde, ku në të gjithë Shqipërinë e veriut dhe në afro 75% të vendit nga Tropoja, Dibra, Mirdita, Mati etj. etj, prona është kthyer tek i zoti.

n.e/NOA

KOMENTE