English

Nishani në Maqedoni: Si e luftuam ne korrupsionin

Ohër, 16 tetor, NOA - Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani mori pjesë dje në konferencën me temën “Lufta kundër korrupsionit, komente integruese mbi aktivitetet kombëtare dhe ndërkombëtare”, zhvilluar në Ohër të Maqedonisë, e cila mbahet në kuadër të kryesisë Maqedonase të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës.

Gjatë fjalës së tij, Nishani prezantoi eksperiencën e Shqipërisë në lidhje me masat e marra për parandalimin e fenomenit te korrupsionit si dhe funksionimin e institucioneve Shqiptare në penalizmin e subjekteve të përfshira në korrupsion.

Gjatë prezantimit të tij, ai u ndal në ngritjen dhe funksionimin e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit (QKR) dhe Qendrës Kombëtare të Lincensimit (QKL) dhe reformën rregullatore të tyre, në modelin e Shqipërisë në implementimin 100% te prokurimeve në rrugë elektronike si masa të rëndësishme për parandalimin e veprimeve korruptive nga administrata publike.

Një prezantim të veçantë iu bë funksionimit të ligjit “Antimafia” si një instrument i rëndësishëm në goditjen e aseteve financiare dhe ekonomike të grupeve kriminale.

Nga ana tjetër, ministri i Drejtësisë pati takime të veçanta edhe me ministrin e Drejtësisë së Kroacisë, Drazen Bosnjakoviç dhe homologun maqedonas, Mihajlo Manevski me të cilët u diskutuan çështje me interes të përbashkët në fushën e zbatimit të drejtësisë.

Nga takimi që pati me ministrin e Drejtësisë së Kroacisë, Drazen Bosnjakoviç, u ra dakord për nënshkrimin e një marrëveshjeje në fushën e ekstradimeve.

Konferenca konkludoi me një deklaratë të përbashkët për angazhimin e të gjitha palëve për një bashkëpunim rajonal në kuadër të rekomandimeve të GRECO-s dhe Këshillit të Europës.

n.e/NOA

KOMENTE