English

Meta: Zgjedhjet vendore, angazhim për të përmirësuar jetesën e qytetarëve

Mallakastër, 17 tetor, NOA – Afrimi i zgjedhjeve vendore duhet të rrisë dhe angazhimin e LSI-së për të marrë një rezultat sa më të madh. Nga Mallakastra, kreu i LSI-së, Ilir Meta i ka bërë thirrje elektoratit që të punojë më shumë për fushatën elektorale.

“Para nesh janë zgjedhjet vendore, ato janë shumë të rëndësishme ndaj ju ftoj të gjithëve që të punojmë për këto zgjedhje në mënyrë që Lëvizja Socialiste për Integrim të ketë sa më shumë përfaqësues në pushtetin vendor që të ndikojnë në angazhimin e tyre për të përmirësuar jetën e komunitetit”, tha Meta.

Ai ka theksuar se LSI-ja aktualisht është e angazhuar në mënyrë të jashtëzakonshme për integrimin e vendit, për liberalizimin e vizave. “Ashtu duhet të angazhohemi për të çuar ujë në një fshat të largët, edhe për një qendër shëndetësore, edhe për shumë vepra të tjera që u shërbejnë banorëve”, tha Meta.

Duke u ndalur në arritjet konkrete, Meta ka thënë se heq e vizave është një prej sukseseve të kësaj mazhorance.

“Jam shumë krenar që në një vit ne arritëm të përmbushim të gjitha kushtet, me qindra kushte për liberalizimin e vizave në mënyrë që të gjithë qytetarët shqiptarë brenda pak javësh të udhëtojnë pa viza drejt Bashkimit Evropian”, tha Meta.

Duke u ndalur në zhvillimin e zonës, Meta tha se “pas një viti besoj se çështjet tona kryesore janë përmirësimi i kushteve ekonomike-sociale të mallakastriotëve dhe të gjithë shqiptarëve”.

Ai është ndalur dhe në premtime konkrete duke theksuar se zona e Ballshit do të këtë më shumë vene punësimi në sektorin e naftës.

“Dua t’ju siguroj se edhe në detyrat qeveritare, që do të thotë edhe si Ministër i Ekonomisë, unë do të bëj gjithçka në mënyrë që rafineria e Ballshit të punojë gjithë vitin dhe prodhimi vendas të përpunohet këtu. Do bëj gjithçka që kushtet e atyre që punojnë në industrinë e naftës të përmirësohen”, tha ai.

a.k/NOA

KOMENTE