English

Regjistrimi i popullatës në Maqedoni, PDR inicion debat

Shkup, 18 tetor, NOA – “Procesi i regjistrimit është çështje tejet serioze dhe e ndjeshme, por qeveria aktuale MRO-DPMNE dhe BDI, ka tendencë që në mënyrë të heshtur të kontrabandojë propozim-ligjin për regjistrim”.

Kështu u shpreh sot në një deklaratë për shtyp, deputetja e PDR-së, Flora Kadriu, sipas të cilës, komisioni për sistem politik dhe marrëdhënie mes bashkësive etnike, sot këtë propozim-ligj në rendin e ditës prej pikës së dytë e vendosën në pikën e katërt dhe pa përmbushur të drejtat e deputetëve shqiptarë që para vetes të kenë materialet dhe amendamentet të përkthyera në gjuhën shqipe.

Prandaj deputetët e Demokracisë së Re ngritën iniciativë për mbajtjen e debatit të hapur në lidhje me këtë propozim-ligj dhe këto iniciativa ishin të dërguara deri tek kryetari i Kuvendit, deri te komisioni për sistem politik dhe deri te komiteti për marrëdhënie ndëretnike dhe pas një jave nuk kanë asnjë përgjigje, ngaqë të njëjtat nuk janë marrë parasysh.

Deputetët e Demokracisë së Re kanë kërkesë konkrete që Komiteti për marrëdhënie ndëretnike të mbajë mbledhje me një pikë të vetme të rendit të ditës edhe atë propozim-ligjin për regjistrim të popullsisë.

“Kërkojmë që Komiteti të mbajë këtë mbledhje pasi ky propozim-ligj ndikon në realizimin e të drejtave të bashkësive etnike joshumicë në vend, ndikon gjithashtu në shprehjen e identitetit të tyre dhe njëkohësisht ndikon në vendosjen e raporteve ndëretnike në vend”, tha Kodra në fjalën e saj.

n.e/NOA

KOMENTE