English

Vetëplagoset në një grabitje në grup, i riu shqiptar

Janinë, 18 Tetor 2010 NOA – Një grabitje e armatosur ka përfunduar me vetëplagosjen e një prej tre shqiptarëve të përfshirë dhe dërgimi i tij nga shokët në spital, çoi në arrestimin e tij dhe ruajtjen nën arrest kushtesh spitalore.

Ngjarja ka ndodhur natën duke gdhirë dita e sotme në rrugën “Arqipeshkopi Makariou” në qendër të qytetit të Janinës, raporton korrespondenti i agjencisë NOA.

Tre djem shqiptarë, hipur mbi një autoveturë, ndalën para një peripteroje (kjoskë) dhe njëri prej tyre doli nga makina me pistoletë në dorë duke kërcënuar pronaren e dyqanit.

Në këtë moment, është dëgjuar një sinjal alarmi pasi 32-vjeçarja, fare e qetë, ndonëse i ishte drejtuar një armë zjarri, pistoletë, shtypi butonin që kishte pranë.

Kjo e çoroditi grabitësin i cili u vu nën panik dhe u drejtua për nga makina. Duke tentuar të hipte, po përpiqej të fuste pistoletën në brez, por ajo u shkreh pa dashje duke plagosur në mes.

Dy shokët e futën brenda makinës të plagosurin dhe e dërguan në spitalin shtetëror të Janinës ku aktualisht po kurohet pa rrezik për jetën.

Me të mbërritur në spital tre grabitësit, ia ka behur dhe policia e cila u përpoq të arrestojë dy shokët por ata me ta lënë në urgjencë të plagosurin, kishin marrë arratinë me makinën e tyre.

n.s/NOA

KOMENTE