English

Pasqyra e Shtypit, 20 Tetor 2010

Tiranë, 20 Tetor, NOA - Në këtë hapësirë gjendet një pasqyrë e titujve të gazetave në Tiranë, për ditën e Mërkurë, 20 Tetor 2010. Ky është një shërbim që ofrohet me parapagim nga agjencia e Lajmeve NOA, në shqip, anglisht, italisht e greqisht.

Mundësia e parapagimit aktualisht ofrohet përmes abonimit dhe së shpejti, edhe përmes pagesës së shërbimit direkt me anë të kartës së kreditit. Për t’u abonuar në këtë shërbim dhe për t’u pajisur me një emër përdoruesi dhe kodin, dërgoni një kërkesë në adresën e E-mail: info@noa.al.

Gazetat shqiptare kanë si argument kryesor të ditës së sotme bashkimin e tre politikanëve Topi, Berisha dhe Rama në ceremoninë inauguruese në ditën e Nënë Terezës. Ato paraqesin edhe vendimin e ISSH për rillogaritjen e pensionit të 4543 ushtarakëve. Ndërkaq, një argument tjetër i të përditshmeve sot është edhe ai ftesës për tryezë partish mbi kodin zgjedhor nga Berisha, e vlerësuar dhe nga OSBE. Sikundër, gazetat përmendin edhe vizitën e Mishel Platini dje në vendin tonë.

E përditshmja “Shekulli” ka si argument kryesor të ditës “Pëllumbi: Nano punon për Berishën”, i cili citon një intervistë të figurës historike të Partisë Socialiste, Servet Pëllumbi, ku thuhet se Fatos Nano nuk ka më ç’t’i japë politikës.

Një artikull tjetër i kësaj gazete është ai me titullin “Pensionet suplementare, ISSH publikon listën e rillogaritjeve”.

“Për çdo 1 euro, 38 cent e kemi borxh”, është një artikull që citon vlerën e borxhit të jashtëm aktual në vendin tonë.

“Nënë Tereza bashkon politikanët shqiptarë” është një artikull tjetër që do lexoni në këtë gazetë.

Gazeta “Panorama” publikon si artikullin e saj kryesor ditën e sotme atë me titullin “Lista e ISSH/ Ushtarakët, 4543 emrat që iu llogaritet pensioni”, i cili tregon vendimin e ISSH për rillogaritjen e pensionit të 4543 ushtarakëve.

Ndërkaq, lidhur me harmoninë politike, në këtë të përditshme do të gjeni artikullin me titullin “Shtrëngim duarsh mes Berishës dhe Edi Ramës”.

Artikull tjetër i kësaj gazete në kuadrin e aksidenteve rrugore është edhe ai me titullin “Tiranë-Durrës, aksidenti/ Vdesin dy vëllezër në autostradë”.

“Gazeta Shqiptare” ka si titull kryesor të saj “Berisha: Mocion? Unë edhe 35 vite në pushtet”, i cili tregon detaje nga intervista e dhënë dje prej kryeministrit Berisha për Neus 24.

“Intelektualët kundër qeverisë për projektin e Piramidës si parlament”, është një artikull tjetër i kësaj të përditshmeje i cili i referohet reagimit ndaj projektit të qeverisë për parlamentin e ri.

Ndërsa në një artikull të veçantë në këtë të përditshme do të lexoni atë me titull “Bizneset: Kemi nevojë për plehrat: Të jepen me koncesion”.

“Dasma e Edi Ramës, në PS nis instalimi i një studioje lëvizëse” është një artikull tjetër që do lexoni në këtë gazetë, referuar përgatitjeve për dasëm të kryesocialistit.

Gazeta “Shqip” hapet me titullin kryesor “Moisiu: Duhen zgjedhje të reja”, i cili tregon një intervistë të ish-presidentit të vendit, Alfred Moisiu, me vlerësimet e tij për politikën dhe zhvillimet e saj aktuale në vend.

Ndërsa çështja “Rizai” mbërrin në numrin e sotëm të kësaj gazete përmes artikullit “Alket Rizai gjykohet për arratisjen spektakolare”.

“Berisha kundër Priftit: nuk më informoi për kontrabandën e naftës” është një artikull tjetër që do lexoni në këtë gazetë.

Një artikull i veçantë i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Speciale/ Vëllai i viktimës: Hasmi e preu në besë pastorin”

E përditshmja “Koha Jonë” hapet me titullin kryesor “Tryeza për zgjedhjet, OSBE: Nismë e shkëlqyer”, i cili i referohet ftesës për tryezë partish mbi kodin zgjedhor nga Berisha, e vlerësuar dhe nga OSBE.

Artikull tjetër i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Berisha i kalon stadiumin Federatës: Në 2012, do jetë më moderni në rajon”.

Një artikull i veçantë i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Skënder Gjinushi: Ku ka gabuar opozita”.

Ndërsa në rubrikën “personazh” do të lexoni “Të moshuarit: 1/3 vdesin nga rrëzimi”.

n.e/NOA

KOMENTE