English

Preç Zogaj: Të fillohet me transparencën, e pastaj me reformën zgjedhore

Tiranë, 20 tetor, NOA – Në tryezën e Opozitës së Bashkuar sot u diskutua për letrën që kryeministri Berisha i ka drejtuar grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe grupeve të tjera për një takim për reformën zgjedhore.

Kështu ka deklaruar përfaqësuesi i saj, Preç Zogaj, pas takimit të sotëm, duke shtuar se “kreu i PS, Rama , është përgjigjur flak për flakë për këtë, por donte që ta diskutonte dhe me partitë aleate, duke qenë se prej një viti ne jemi së bashku për transparencën e zgjedhjeve”.

Sipas tij, “tryeza e Opozitës së Bashkuar mbështet qëndrimin e PS dhe të kreut të saj zotit Rama, duke theksuar se transparenca e zgjedhjeve të 28 qershorit përbën përparësinë e përparësive për të rindërtuar besimin e cënuar të zgjedhësve shqiptar për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe për të garantuar zgjedhjet e ardhshme. Komisioneri për zgjerimin S. Fyle, PE, vetë opozita nuk kanë kërkuar reformën, kanë kërkuar pikë së pari transparencën e zgjedhjeve. Pra, të fillohet me transparencën e pastaj të vazhdohet me reformën zgjedhore. Nuk është kodi zgjedhor në vetvete që ka prodhuar krizën, është shkelja e kodit që e ka prodhuar krizën. Në momentin që edhe partnerët tanë ndërkombëtarë dhe opozita kanë kërkuar zgjidhjen e krizës është afërmendsh që zgjidhja e krizës është transparenca e zgjedhjeve për të ndriçuar disa aspekte që janë shumë shqiptare në lidhje me manipulimin e zgjedhjeve. Siç është votimi në emër të votuesve që nuk janë të pranishëm. Shembulli më tipik i kësaj forme të shëmtuar të manipulimit është Ruzhdia, ku tashmë dihet se edhe nga prokuroria është vërtetuar futja e votave, por ky është një fenomen i përhapur edhe në shumë qëndra votimi. Është shtimi i votave në procesverbale pas mbarimit të numërimit, që është vërtetuar edhe nga rileximi që ju ka bërë kasetave Partia Demokristjane në qarkun e Shkodrës. Është edhe shpërndarja e votës, që një parti i ka dhënë një tjetre. Pra këto janë dukuri që në thelbin e tyre prodhojnë tjetërsimin e vullnetit të zgjedhësve dhe si përfundim manipulimin flagrant të të këtyre zgjedhjeje. Pra transprenca që kërkon opozita synon të zbardh tërësisht këtë të vërtetë, e cila ka nxjerr në pah vetëm disa elementë të saj, është zgjedhja e vetme për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme nesër.

Nuk ka asnjë arsye që reforma të bëhet nga një palë, ne nuk e kemi kërkuar ndonjëherë që reformën ta bëjë një palë. Opozita nuk ka kërkuar asnjëherë që të ketë monopolin e amendamenteve, kodi zgjedhor është bërë në të kaluarën me konsensus edhe në të ardhmen, kur ti vij radha, duhet të bëhet me konsensus. Opozita do të jetë e gatshme që të jap kontributin e sja të madh që të bëhet një konsensus sepse për përmirësime ka gjithmonë nevojë, por për momentin përparësi e përparësive është transparenca. Këtë kërkojnë që të gjithë edhe opozita edhe ndërkombëtarët. Këtë e di shumë mirë edhe kryeministri Berisha dhe shumica në Shqipëri dhe është një fatkeqësi që këtu po sakrifikohen gjëra të mëdha vetëm për të mbajtur të mbyllur në kutitë e votimit manipulimet, krimin zgjedhor të denoncuar prej opozitës shqiptare”.

A është i të njëjtit mendim edhe aleati juaj zoti Dule pasi ai nuk ka qenë në mbledhje sot dhe është i vetmi aleat që është forcë parlamentare?

Ju e dini që Opozita e Bashkuar funksion si një opozitë unike për qëndrimet që mban. Jo gjithmonë janë të pranishëm 100% përfaqësuesit e saj sepse kanë edhe angazhime të tjera, por kjo është një histori që nuk filloj sot. Është një histori që ka nisur në fillim të shatorit të kaluar me fillimin e protestave, me organizimin e protestave dhe qëndrimeve të tjera lidhur me transparencën.

Janë të gjitha gjasat që tryeza e të bëhet, a rrezikon qëndrimi juaj deri në bojkotimin e zgjedhjeve? Ju keni njoftuar protestat, do të bëhen?

Që një reformë e këtij niveli ka kuptim kur bëhet nga të gjitha palët, por pikë së pari duhet të jenë palët kryesore. Nuk ka sens të flitet për një reformë e cila dhe formalisht kërkon 84 vota. Por edhe sikur të ishin ato 84 vota, ti kishte njëra palë, nuk ka sens të filet për reformë zgjedhore të një pale. Këtu historia është shumë e qartë, nuk ka lindur nga kodi. Kodi zgjedhor në fuqi është bërë me konsensus. Po të ishte zbatuar me korrektësi të madhe kodi sigurisht që nuk do të ishim në këtë situatë. Pra problemi Shqipërisë është shkelja e kodit, gjetja e mënyrës për të shkelur kodin. Nuk ka lidhje me ndryshimin e kodit, pavarësisht nevojave për përmirësim që nuk I mohon askush.

Deklaruat që në datën 15 do të nisnit protestat në gjithë Shqipërinë, pse nuk po nisin? Caktuat një datë konkrete kur do të nisin këto protesta?

Ne as herën e parë nuk kemi caktuar një datë konkrete. Është paralajmëruar një rikthim i protestave, edicioni i tretë i protestave të opozitës. Protestat janë një mjet demokratik ku ftohen qytetarët të bëhen pjesë e aksionit politik të opozitës. Opozita në të dyja raste e mëparshëm ka gjetur momentin e përshtatshëm politikën për të ftuar qytetarët, sepse është edhe shenjë respekti për qytetarëve që të ftohen në momentin kur ata kanë nevojë ta shprehin drejtpërsëdrejti mendimin e tyre. Kështu që edhe kësaj radhe datë nuk është dhënë, as herën e parë, por protestat do të rifillojnë në edicionin e menjëherë mbas vendimit që do marrin ministrat e brendshëm të 27 vendeve të hapësirës shengen në lidhje me vizat për Shqipërinë. E dini shumë mirë që opozita është e interesuar që ky vendim të merret pozitivisht dhe kjo çështje të përfundojë.

Ju kanë vënë përpara një sfide pak a shumë. Pasi Presidenti dekretoi datën e zgjedhjeve në 8 maj, tryeza do të mbahet të premten. A do të shkoni në zgjedhje me kodin aktual?

Kryeministri i është drejtuar partive parlamentare por ne jemi një opozitë e bashkuar me parti edhe brenda parlamentit edhe jashtë parlamentit. Jemi bashkuar për transparencën por edhe për një program dhe projekt të ri për të ardhmen. Nuk ka asnjë sfidë, është shumë e qartë dhe nuk duhet të bëjmë sikur nuk shohin, nuk dëgjojmë, nuk kuptojmë. Të gjithë kërkojnë transparencën. Duhet ti marrim nga e para për të kaluar tek e dyta dhe jo anasjelltas. Vetëm kryeministri mendon se mund ta filloj nga fundi për të ardhur drejt fillimit. Kështu që nuk flitet për kurrfarë sfide është gjëja më e qartë për gjithë publikun këtu edhe për partnerët që kanë ndjekur, kanë asistuar, kanë kontribuar për zgjidhjen e krizës gjatë këtij viti.

Por në datën 8 maj janë zgjedhjet lokale, çfarë do të bëni, do të hyni me kodin aktual?

Kryeministri mund të bëjë ç’të dojë sepse është independent në vendimet e tija. Ne i referohemi disa aktiviteteve konkrete politike që lidhen me krizën ku është zhytur kriza politike, institucionale në Shqipëri dhe që lidhet me zgjedhjet. Opozita ka mision që të garantoj zgjedhje të lira dhe të ndershme. Të rindërtojë besimin e shqiptarëve i cili është cënuar, kjo është fjalia e parë që është shkruar në raportin e OSBE-ODIHR, nuk është thjesht një vlerësim që e bëjmë ne këtu. Kështu që gjithsekush këtu është i lirë të ndërmarrë veprimet e tij politike por duhet të jemi serioz dhe duhet të kuptojmë se transparenca e zgjedhjeve është një kërkesë jo vetëm e opozitës tashmë i kërkohet Shqipërisë si kusht për të vazhduar në rrugën e integrimit europian.

Ky ribesim tek elektorati do të fitohet duke mos shkuar fare tek zgjedhjet elektorale zoti Zogaj?

Askush nuk tha se nuk do shkojmë në zgjedhje, nuk bëri njeri një deklaratë të tillë. Bëmë këtë deklaratë që tryeza e Opozitës së Bashkuar që ka marrë pjesë, ka dhënë kontributin e saj që në fillim në lëvizjen për transparencë, mbështeti qëndrimin e PS sepse ata janë kryesorët, për këto argumente që i përmenda dhe unë këtu. Do të vazhdojmë më tej takimet pas datës 9 nëntor për të marrë vendime të tjera, për të rifilluar protestat. Mos të mërzitet kërkush se protestat këtu janë, njerëzit këtu janë por duhen ftuar në momentin e duhur dhe momenti i duhur është pas datës 9 nëntor.

Kryeministri ka bërë kërkesë zyrtare për tryezën, ju do të mjaftoheni me këtë qëndrim apo do jetë dikush nga ju në këtë tryezë për të shpjeguar këtë qëndrim të opozitës së bashkuar sot?

E thashë edhe njëherë që kryeministri nuk i drejtohet Opozitës së Bashkuar se nuk e njeh si të tillë, ju drejtohet partive parlamentare. Opozita e Bashkuar ndan mendimin dhe qëndrimin me PS që nuk ka arsye, ajo është një kërkesë që kuptohet është bërë për konsum të jashtëm dhe vetë Berisha e ka kuptuar që nuk është kaq naive opozita, nuk ka pse të shkojë në një takim kur vetë opozita ka fituar rezolutën e PE për transparencën e zgjedhjeve.

NOA

KOMENTE