English

Kuvendi debaton për importin e plehrave nga jashtë, Mediu: Mos kini frikë!

Tiranë, 21 Tetor, NOA – Nuk duhet patur frikë nga aplikimi i vendimit të qeverisë për importimin e mbetjeve të rrezikshme, për të cilin opozita po ngre kundërshti të mëdha. Kështu është shprehur ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, gjatë seancës së sotme parlamentare ku është debatuar edhe mbi çështjen e riciklimit të mbetjeve.

Sipas tij, Shqipëria nuk do të importojë mbetje që paraqesin rrezikshmëri për qytetarët dhe theksoi se çdo gjë për riciklimin e mbetjeve është bërë brenda ligjeve dhe me transparencë të plotë.

Ndërsa para tij, deputeti i Partisë Socialiste Besnik Baraj, duke iu referuar riciklimit të mbetjeve ka theksuar se vendit tonë i mungojnë aktet ligjore dhe kapacitet për këtë riciklim.

Edhe para pak ditësh, ministria e Mjedisit në një prononcim për median, duke komentuar këtë vendim të qeverisë, theksoi se Shqipëria nuk do të importojë plehra, por vetëm lëndë të parë për industrinë ricikluese, e cila është e rëndësishme, pasi ofron ripërdorim të atyre produkteve që sot hidhen në vend-depozitime.

Ajo sqaroi ndër të tjera, se në ndryshim nga vendimet e vitit 2004, nuk bëhet fjalë për incenerator të plehrave, siç propozonte dikur opozita e sotme, por për lëndë të para që do të përdoren nga industria ricikluese për prodhim të produkteve te reja.

Dhe se ky vendim është në mbështetje të MSA-së dhe përafron kuadrin tonë ligjor me atë europian.

n.e/NOA

KOMENTE