Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: Connection refused in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Dasma e Edi Ramës: Një ceremoni mister, zbulohet pas mbylljes
English

Dasma e Edi Ramës: Një ceremoni mister, zbulohet pas mbylljes

Tiranë, 24 tetor, NOA – Larg kamerave, larg kureshtjes së qytetarëve shqiptarë, që sot janë tërë sy e veshë të drejtuara kah dasmës së liderit të opozitës Edi Rama, më pak se dy orë na ndajnë nga ceremonia e martesës së kryesocialistit dhe kryebashkiakut me Linda Bashën.

Ngjarja më e rëndësishme e javës që do të përmbyllet me një ceremoni të ngjashme me atë të dasmës së një ylli botëror, do të jetë tërësisht e izoluar për blicet dhe objektivët e kamerave duke e lënë kështu misterin e zbulimit të saj vetëm përmes disa xhirimesh dhe fotosh, të cilat do të shpërndahen për mediat, të kontrolluara më parë, vetëm pas mbylljes së ceremonisë.

Rreth 800 të ftuar pritet të marrin pjesë në këtë ceremoni galante, që sikundër vetë lideri i opozitës ka thënë do të jetë një koktejl i thjeshtë, por i organizuar me tërë hiret e një dasme të veçantë, që sigurisht do t’i shkonte për shtat shijeve të kryetarit të Partisë Socialiste, që vjen nga bota e artit të pikturës, një prirje kjo, që Rama nuk e ka humbur edhe nën kostumin e kryepolitikanit rozë.

Ceremonia e dasmës që do të organizohet për dy orë e gjysmë në lokalin “Xibrak”, pranë vilave amerikane në rrugën e Elbasanit, do të nisë në orën 16.00 dhe do të përfundojë në orën 18.30 të pasdites.

Një dasëm që i shkon për shtat një lideri politik, i cili ngjarjen më të rëndësishme të jetës së tij do ta festojë vetëm me miqtë dhe dashamirët dhe këta janë të shumtë.

Por, duke qenë se kjo është dasma e tretë e Edi Ramës, një dasëm-koktejl, ku do të shërbehen vetëm pije dhe prodhime të kuzhinës shqiptare duket të jetë ceremonia më e përshtatshme për çiftin Rama-Basha, pasi që të dy vijnë nga martesa të mëparshme.

Sipas përllogaritjeve dasma e Edi Ramës edhe pse cilësohet një ceremoni e thjeshtë ajo duket se kushton mijëra euro edhe për shkak të numrit vërtet të madh të të ftuarve, pasi shefi i selisë rozë dhe gruaja e tij e re, Linda kanë dëshirë, që këtë ditë të veçantë të kurorëzimit me martesë ta kalojnë mes miqve dhe njerëzve që i duan.

Gjithsesi gjithçka pritet të nisë në orën 16.00, kur të ftuarit të veshur për koktejl pritet të hyjnë në mjediset e Xibrakut, ku janë në përfundim të gjitha përgatitjet për dasmën galante të kreut të Partisë Socialiste.

Edhe dhuratat e dasmës duket që në këtë rast kanë qenë vërtet të vështira për t’u përzgjedhur, pasi Edi Rama njihet për shijet e tij ekstravagante prej piktori eksperimentalist dhe pikërisht kjo duket t’i ketë sjellë jo pak vështirësi miqve dhe dashamirëve të tij, për t’i zgjedhur diçka, që do t’i hynte në sy shefit të selisë rozë.

Pas ceremonisë dy orëshe ku do të luhet muzikë e zgjedhur e grupeve të njohura të viteve ’70, çifti Linda dhe Edi Rama do të festojnë me familjet e tyre në apartamentin me qira ku do të jetojë kryesocialisti dhe bashkëshortja e tij në Tiranë.

Lajmi për dasmën e Edi Ramës ishte lajmi më i bujshëm i fundjavës së shkuar dhe i tërë kësaj jave e padyshim lajmi kryesor i kësaj të diele tetori me diell.

Por, përtej izolimit të saj të gjithanshëm nga rojet e sigurisë, dasma e kryetarit të Partisë Socialiste mund të rezervojë edhe surpriza....

mit/NOA
KOMENTE