English

Dasma e Edi Ramës, nuk mungon Presidenti Topi

Tiranë, 24 tetor, NOA – Ndërsa ceremonia e dasmës sapo kishte nisur ashtu siç pritej pak minuta më parë ka mbërritur në mjediset e restorant Xibrakut edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi.

Kreu i shtetit i është bashkuar mbi 800 të ftuarve të liderit të opozitës për të marrë pjesë në martesën e kryesocialistit Edi Rama me bashkëshorten e tij, Linda Basha.

Në ceremoninë e dasmës janë ndaluar krejtësisht kamerat dhe paparacët, duke lejuar të hyjë në mjediset e ceremonisë vetëm fotografin Armando Babani, i cili publikoi edhe para pak ditësh foton e bashkëshortes së re të shefit të opozitës, si dhe një kameraman i përzgjedhur për të filmuar tërë ceremoninë e martesës.

Ndërsa lajmi i martesës bëri bujë mediatike dhe pushtoi faqet e para të gazetave tërë javën që tashmë po mbyllet, duket se ceremonia e dasmës është tërësisht e blinduar për mediat, dhe në fund të saj do të jepen për tu transmetuar vetëm sekuenca të kontrolluara nga ceremonia si dhe foto.

Mbi 800 të ftuarit e Ramës në koktejlin e martesës së tij, një ceremoni jashtë tradicionales dhe me muzikë të përzgjedhur nga grupet më të njohura të viteve ’70, përbëhen nga familjarë e miq të ngushtë të çiftit Rama, politikanë të njohur, bashkëpunëtorë të ngushtë, përfaqësues të trupit diplomatik, përfaqësues të medias, biznesit, të cilët kanë mbërritur në mjediset e dasmës të veshur me veshje për koktejl.

Ndërkohë dasma e kreut të PS-së vijon në mjediset e restorant Xibrakut, të mbushura si rrallëherë me dasmorë.

mit/NOA
KOMENTE