English

Dasma e Ramës, Meta: Nuk më ftoi, por i nisa një buqetë trëndafilash

Tiranë, 24 tetor, NOA – Pavarësisht zhvillimeve politike dasma e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama është një çështje që nuk është anashkaluar nga klasa politike.

Nga Lezha ku ka qenë i pranishëm në inaugurimin e një rruge dhe ku u takua me elektoratin e LSI-së, zëvendëskryeministri Ilir Meta deklaroi se nuk do të jetë i pranishëm në dasmën e Ramës, pasi nuk kishte një ftesë.

Ai tha për mediat se kishte pritur një ftesë, por në mungesë të saj, do t'i dërgonte një buqetë me lule kryetarit të Partisë Socialiste, duke i uruar atij edhe jetë të lumtur, pasi kjo është një ditë e shënuar për të.

Martesën me Linda Bashën ia ka uruar kundërshtarit të tij politik edhe shefi i qeverisë, Sali Berisha dhe zonja e tij Liri Berisha, të cilët i nisën një buqetë të madhe lulesh liderit të opozitës, me urimin që të ketë një martesë të lumtur.

Martesa me Linda Bashën është e treta për kryesocialistin Edi Rama, pas asaj të parës me aktoren e bukur Matilda Makoçi, nënën e djalit të tij, Gregor.

Më pas në mes të viteve ’90, Rama, ndërsa ishte një publicist i spikatur u lidh në martesë me Delina Ficon, sot një mikeshë e ngushtë e familjes Rama.

Por, jeta e kryesocialistit Rama, kur ishte kryebashkiak bëri bujë për lidhjen e tij disavjeçare të dashurisë me Rudina Magjistarin, me të cilën pati edhe një puthje live, puthje që u komentua jo pak nga mediat asokohe.

Kjo martesë e tretë e kreut të selisë rozë, me Linda Bashën, që thuhet se vjen pas një lidhjeje disavjeçare me këtë të fundit, u kremtua në një moment domethënës për shefin e opozitës, pikërisht në momentin kur ai dhe bashkëpunëtorët e tij të opozitës së bashkuar kërkojnë largimin e qeverisë Berisha nga pushteti, pasi e cilësojnë shkaktar të krizës së gjithanshme në vend, që mori jetë pas zgjedhjeve të 28 qershorit të kontestuara edhe me grevë urie.

mit/NOA
KOMENTE