English

Jeta e një punëtori shqiptar, sa pak që vlen para një italiani

Romë, 25 tetor, NOA – Punëtori i radhës, që ka vdekur në Itali gjatë punës, është shqiptar. Por jeta e tij është me më pak vlerë se ajo e një homologu italian. Për familjen e tij që jeton në Shqipëri, kompensimi financiar ka qenë prej dhjetë herësh më i ulët se ai që kanë marrë viktimat italiane që kanë humbur jetën gjatë punës.

Këtë nuk e themi ne, por vetë media italiane, e konkretisht gazeta “Repubblica”, e cila në një artikull të posaçëm, ka denoncuar trajtimin e pas-vdekjes që u bëhet emigrantëve që punojnë në Itali, sidomos atyre shqiptarë.

Në numrin e sotëm të kësaj gazete, duke iu referuar një emigranti shqiptar që vdiq në Torino, thuhet se gjykata italiane i dha atij një kompensim të reduktuar, madje ai u akuzua se 20% e vdekjes së tij, ishte shkaktuar nga neglizhenca që kishte treguar gjatë punës.

Sipas gjykatëses civile italiane, Ombretta Salvetti, duke iu referuar një vendimi nga Gjykata e Lartë i nxjerrë një dekadë më parë, gjykata e Torinos, ka vendosur të balancojë kompensimin për vlerën reale të parasë në ekonominë e vendit nga vjen personi që humb jetën gjatë punës.

Kështu, prindërve të emigrantit shqiptar të lartpërmendur u janë dhënë vetëm 32 mijë euro.

Dr. Salvetti tregon sesi për çdo prind që jetojnë në Shqipëri, shuma e kompensimit është vetëm 32 mijë euro, ndërsa nëse punonjësi i vdekur do të ishte italian, do të ishte zbatuar tabela e re, e cila është vënë në përdorim në Gjykatën e Torinos që nga qershori 2009, sipas të cilës, kompensimi i një prindi italian për vdekjen e fëmijës së tij në punë, do të jetë nga 150-300 mijë euro.

Ky vendim ka për qëllim të bëjë një diferencim të dukshëm në botën e punës mes punëtorëve të huaj dhe atyre italianë, një vendim ky kritikuar prej shumë politikanësh.

n.e/NOA

KOMENTE