Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Martesa e Edi Ramës si konvertim i radhës
English

Martesa e Edi Ramës si konvertim i radhës

Konvertimi i shpeshtë nuk e ka lënë Edi Ramës të krijojë një profil social. Ashtu siç tjetërsimi i shpeshtë politik ia ka humbur fizionominë në këtë fushë. Sikurse e dinë të gjithë, Rama ka qenë edhe me Nanon, edhe antinanoist, edhe me Majkon, edhe antimajkoist, edhe me Metën, edhe antimetist

Nga Andi Bushati

Teksa ndante ftesat e ceremonisë së martesës për deputetët dhe kolegët e tij, Edi Rama, ka shkëmbyer një sërë batutash me ish Kryeministrin Majko. Në thelb të tyre ishte transformimi i radhës që po pësonte Rama. Në një farë mënyre, ai po i kujtonte ish shefit të tij socialist se ia kish dëgjuar fjalën e thënë në 2005: “Nuk mund të ketë një kryetar partie beqar dhe me çorape të kuqe”. Në pesë vite, Edi Rama kishte hequr dorë nga të dyja këto “vese”. Ashtu siç kish hequr dorë, gjatë karrierës së tij 12-vjeçare në politikë, nga shumë gjëra. Ashtu sikurse është detyruar të ndryshojë, të transformohet, të tjetërsohet shumë herë gjatë shfaqjeve të tij publike. Sot trendy me brekushe të verdha, është zyrtari me kostum të zi. Sot piktori me vath në vesh, shfaqet në ekrane me kravatë dhe këmishë të bardhë. Sot njeriu që sfidonte kohën, duke mos mbajtur kurrë orë në dorë, tani dëshiron të jetë preciz. Edhe fjalori i tij ka ndryshuar ndjeshëm. Aty do qëmtosh më kot të gjesh, si në kohën e ministrit sharmant të kulturës, evokimin e brekëve të një artisteje të popullit, apo korridoret e shurosurra të Teatrit Kombëtar. Sepse, Edi Rama nuk është më ai i pari. Artisti bohem që bridhte nudo në plazhet publike të Francës, tash po kërkon të bëhet i pranueshëm për votuesin e katundeve më të largëta. Liberali që pozonte duke mbështjellë organet e tij me flamurin kombëtar, tash ka marrë trajtat e një politikani radikal. I dashuri vanitoz që joshte elektoratin e ri, duke u puthur në publik me një show girl, tani nënvizon se po lidh jetën me një doktore shkencash. Burri që i zotohej votuesve të vet, në takimin e parë me ta, se në jetë kish tre parime të mëdha - mos vidhte, mos vriste dhe mos shkonte me gruan e tjetrit, së paku këtë parim të tretë e ka lënë mënjanë, duke u konvertuar, si jo rrallëherë, në filozofinë e Spartak Ngjelës, se dashuria nuk pyet se e kujt është gruaja. Si pjesë e këtij ndërrimi profili, duhet parë edhe shpallja e martesës në studion televizive të Top Story, në Top Channel. Ajo që tregoi në ekran bashkëshortja e ardhme e tij, flet për këtë shndërrim. Një grua në karrierë, që më shumë se rregullimet fizike që bën jashtë shtetit çdo femër në moshën dhe me kushtet e saj, çmonte leximet dhe studimet. Një grua e pjekur, që pohon se është tradicionale dhe se do të mbajë mbiemrin e bashkëshortit, një grua që vjen nga një familje e thjeshtë, e pikërisht nga bastioni 12-vjeçar i Edi Ramës. Por, natyrisht, mbi këtë grua sot do të ngrihen një varg pikëpyetjesh. E mbi të gjitha, pse shkoi drejt një martese me Edi Ramën? A kishte aty një kalkulim politik? Një llogari të pastër, apo ishin të dyja bashkë, një “dashuri e verbër” plus një “syçeltësi”, që e bënin edhe të goditur politikisht këtë ngjarje? Natyrisht që shumëkush këto ditë e ka paraqitur shpalljen e papritur të martesës së Edi Ramës si një taktikë politike. Si një manovër për t’i dhënë fund sulmeve të paprincipta të kundërshtarëve të vet, që e stigmatizonin: njeri pa familje. Shumëkush e ka paraqitur si një lëvizje për ta bërë më pak të goditshëm. Dhe diskutimi në këtë këndvështrim i kësaj teme nuk ka ndonjë gjë të keqe. Në një demokraci moderne, jeta e politikanëve, madje të gjitha veprimet e tyre, apo të të afërmve, kalojnë në filigran. Jo më larg se një muaj më parë, një nga librat më shokues të rentre litteraire në Francë, ishte një hetim mbi jetën e zonjës së parë, Karla Bruni. Dhe ky libër “Karla - një jete sekrete”, ku tregohej se si modelja, e më pas këngëtarja milionere, e ka kaluar gjithë jetën e saj duke shkelur mbi ndihmën e ish-të dashurve të saj, për të bërë më lart, për të kapur më shumë, ngjalli jo pak debate. Si kudo, dikush pretendonte se ish shkelur kufiri i lejueshëm se ishte cenuar privatësia dhe skutat intime të personave të përmendur. Ndërsa të tjerë, ithtarë të transparencës totale, mbronin idenë se çdo njeri publik, për më tepër i lidhur me politikën, duhet t’i nënshtrohet një këqyrjeje të tillë me llupë. Ndoshta një debat i tillë, me përmasa të tjera, do të hapet edhe në metropolin tonë periferik, pas rrëfimit për martesën e Edi Ramës. Ndoshta edhe këtu do të ketë zëra pro dhe kundër, në debatin e përhershëm mes transparencës dhe privatësisë. Por, ndoshta më i rëndësishëm se ky hetim i hollësishëm, më domethënëse se pyetjet: “Pse Rama zgjodhi t’i japë fund beqarisë?”, “Pse tani?”, “Kush është bashkëshortja e re?” dhe “Cila është e shkuara e saj?”, “A tha ajo të vërtetën për kohën e njohjes së tyre?”, janë gjëra të tjera. Në këtë rast, më me rëndësi është të kuptojmë kush është Edi Rama i vërtetë. Cilat janë mendimet e tij për familjen, gruan, bashkëjetesën, martesën, shoqërinë? Pasi konvertimi i shpeshtë nuk e ka lënë të krijojë një profil social. Ashtu siç tjetërsimi i shpeshtë politik ia ka humbur fizionominë në këtë fushë. Ashtu sikurse e dinë të gjithë, Rama ka qenë edhe me Nanon, edhe antinanoist, edhe me Majkon, edhe antimajkoist, edhe me Metën, edhe antimetist. Ai që thoshte se në Shqipëri ka pasur luftë civile, sot e mohon një gjë të tillë. Ai që zgërdhihej me veteranët, sot i veneron ata. Ai që përgjërohej për trashëgiminë kulturore, sot jep leje ndërtimi mbi këto objekte. Ai që ishte pro fraksioneve në PS, sot është kundërshtari i parë i mendimit ndryshe. Ai që ka qenë kundër luftës jakobine me korrupsion, sot është shndërruar në ithtar të saj. Ky, pra, është problemi i vërtetë i Edi Ramës. Konvertimi i shpeshtë sipas konjukturave që kanë bërë të duket sikur brenda të njëjtit njeri gëlon një personalitet i shumëfishtë. Pikërisht këto tjetërsime e kanë përçudnuar profilin e tij. Pikërisht ato ngacmojnë shumëkënd të pyesë: “Kush është, vërtet, njeriu që drejton sot opozitën, cilat janë gjërat tek të cilat beson dhe për të cilat lufton ai?”. Pyetje këto që janë bërë edhe më parë, por që me siguri që do të bëhen edhe më të shpeshta tash, pasi Edi Rama, shpalli me gojën e tij, konvertimin e vet të radhës.

KOMENTE