English

Dita e Të Rënëve të Policisë, sot përkujtimi

Tiranë, 26 Tetor, NOA – Përkujtim dhe nderim ndaj të gjithë policëve të cilët kanë rënë në krye të detyrës. Kjo është gjithçka e parashikuar të zhvillohet sot nga organet policore, në kuadër të 26 tetorit, e cila është caktuar si “Dita e të rënëve të Policisë në krye të detyrës”.

Për të përkujtuar dhe vlerësuar aktin sublim të policëve të rënë në krye të detyrës, si dhe në kuadër të javës së vizitorëve të policisë, prej mëse një jave janë organizuar aktivitete të ndryshme nga drejtoritë e policisë në rang vendi, e në veçanti nga ajo e Tiranës.

Siç bëhet me dijeni për agjencinë e Lajmeve NOA, gjatë këtij harku kohor, janë organizuar vizita të nxënësve të shkollave të ndryshme apo të qytetarëve në mjediset e Policisë; takim me drejtues të lartë të Policisë së Shtetit etj.

Ndërsa në datën 26 tetor është parashikuar që të vendosen kurora në varrezat e Dëshmorëve, në përkujtim të të rënëve të policisë në krye të detyrës, si edhe vizitë në familjet e të rënëve të policisë, ku do jenë të pranishëm ministri i Brendshëm Lulzim Basha, si dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit.

n.e/NOA

KOMENTE