Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Topi: Klimë e ngarkuar akuzash, drejtësia të shkëputet nga politika
English

Topi: Klimë e ngarkuar akuzash, drejtësia të shkëputet nga politika

Tiranë, 26 tetor, NOA, Update – Gjatë diplomimit të 10 magjistratëve të rinj në fjalën e tij, Presidenti i Republikës, Bamir Topi replikoi sot me kryeprokuroren Ina Rama lidhur me rëndësinë që ka institucioni i prokurorisë në vendosjen përballë drejtësisë të të gjithë të akuzuarve për krim e korrupsion, duke iu referuar veçanërisht vënies përballë drejtësisë të zyrtarëve të lartë të akuzuar për korrupsion, bashkëpunim me mafian e kontrabandë, akuza që vijnë nga të dy krahët e politikës shqiptare.

Kreu i shtetit deklaroi se “Sigurisht që ka progres të vazhdueshëm, por ka nevoja pa fund për të përsosur punën në këtë institucion, ku nuk është nevoja ndoshta që t’i referohemi nëse i kanë jakat e bardha, apo me viza, por besoj që mesazhi më i mirë duhet të jetë ai që jepet drejtpërdrejtë”.

Presidenti, i cili pak javë më parë bëri thirrje që prokuroria të hetojë të gjitha akuzat e ndërsjella theksoi rishtas se “klima politike, është super e ngarkuar. Njerëz të veshur me pushtet politik, akuzojnë njëri-tjetrin dhe me të drejtë dhe nga nivelet e koshiencës më minimale të një qytetari, vjen thirrja: “çfarë nevoje kemi t’i dëgjojmë në publik?!”.

“Sipas rregullit që kanë vendet e demokracisë perëndimore, beteja zhvillohet në institucionet specifike dhe akuzat politike artikulohen edhe gjatë periudhave që ndajnë periudhat elektorale, por çdo gjë artikulohet me këtë frekuencë, me këtë intensitet atëherë kur është kulmi i betejës politike”, tha Presidenti Topi.

Kreu i shtetit, njëherësh kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke kërkuar vendosjen sa më shpejt të drejtësisë për akuzat tha se “ambienti shoqëror, mediatik, ka ngarkuar këto ambiente në mënyrë të panevojshme, pasi sikundër tha zoti Topi, po të shkojnë akuzat nëpër institucione, po të ketë besim në institucione, po të mos ketë frikë në institucione, po të mos ketë fobi në këto institucione, po të ketë virtyt, po të ketë zbatim të detyrës, do të thotë, që të do ketë kualitet, do të thotë që do të ketë drejtësi”, deklaroi presidenti.

Duke iu drejtuar kryeprokurores, Ina Rama, kreu i shtetit nëvizoi se asnjëherë institucionet e drejtësisë shqiptare nuk kanë patur më shumë lëndë të parë për të punuar dhe për t’u ekspozuar, andaj sipas presidentit është koha për drejtësi.

Por, Presidenti vuri në dukje se sfidën e reformimit të drejtësisë nuk e përjetojnë vetëm institucionet shqiptare, pasi edhe vende shumë më të qytetëruara se Shqipëria, si psh, Italia, prezanton një debat të rëndësishëm për drejtësinë.

Në këtë kontekst, presidenti duke vënë theksin tek profesionalizmi dhe virtyti rikujtoi se “ka patur nga ata, të cilët kanë lënë emër në sistemin e drejtësisë dhe historinë e Shqipërisë si njerëz me virtyte të larta, të cilët edhe në kushtet e një represioni të jashtëzakonshëm politik, atëherë kur me kuptimin e vërtetë të fjalës “të ikte koka”, kanë lënë detyrën kur kanë qenë në krye të drejtësisë për të zbatuar një urdhër politik”.

Në këtë suazë kryetari i shtetit në leksionin e tij për magjistratët tha se është mjaft e rëndësishme për një prokuror apo gjyqtar të mos i nënshtrohet urdhrave politikë, pasi “Në rast se dikush kërkon që të jetë i pavarur nga politika, atëherë le të jetë koha që t’i seleksionojë. Por që kjo kohë t’i seleksionojë duhet patjetër, që gradualisht të formohen njerëz të rinj, të cilët nuk duhet të jenë të kompleksuar nga politika. Në mënyrë absolute kjo nuk ndodh, por duhet të kenë gjithmonë sensin e shkëputjes sa më shumë të jetë e mundur nga politika dhe fitimin e ekuilibrit nga drejtësia”, theksoi Presidenti.

“Virtyti do të thotë që t’i referohesh vokacionit të popullit, që do të thotë t’i referohesh Kushtetutës së Shqipërisë, sepse jo gjithmonë në drejtësi, jo gjithmonë tek ato figura, të cilave ne nga larg ua vlerësojmë shfaqjen, apo aparencën, sepse nuk jemi në gjendje të gjykojmë substancën dhe historia e tranzicionit shqiptar i ka këto shembuj, për fat të keq, me shumicë”, sqaroi kryetari i shtetit.

Ai u tha magjistratëve që t’i referohen vetëm Kushtetutës, ligjit, pasi vetëm në këtë mënyrë do të gjejnë motivimin për drejtësi, paanshmëri, ekuilibër, që sjell një benefit për qytetarët.

Në fjalën e tij drejtuar 10 magjistratëve të rinj, ku merrnin pjesë edhe prokurorë e gjyqtarë, Presidenti tha se “Ju e shikoni që herë pas here të gjithë aktorët që kanë detyrimin për të bërë apele publike, në mënyrë të veçantë për drejtësinë, nuk e bëjnë këtë, sepse nuk e kanë mundësinë, temën, apo vend tjetër për t’u shprehur. Ky vjen patjetër si një apel i detyrueshëm për t’u dhënë nga njerëzit, që mbulojnë karriget më të rëndësishme të shtetit, por edhe nga ata që janë më afër dhënies së drejtësisë, të atyre institucioneve tek të cilët njerëzit sot më shumë se kurrë kanë drejtuar sytë”, deklaroi zoti Topi.

Presidenti i Republikës i bëri këto deklarata gjatë Konferencës Shkencore të Shkollës së Magjistraturës me temë: “Drejtësia – Virtyt dhe detyrë që perfeksionon vullnetin e përhershëm të çdo gjyqtari dhe prokurori”.

Në këtë veprimtari të organizuar nga Shkolla e Magjistraturës me mbështetjen e Fondacionit Hans Zaidel me rastin e diplomimit të magjistratëve të rinj të kësaj Shkolle ishin të pranishëm Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, Zëvendësdrejtori i USAID-it në vendin tonë, Endrju Mejbruk, diplomatë, juristë, profesorë, magjistratë dhe të porsadiplomuar nga Shkolla e Magjistraturës.

Në përfundim të konferencës, në një ceremoni të veçantë Presidenti i Republikës, njëkohësisht Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë u dorëzoi diplomat dhjetë magjistratëve të rinj të porsadiplomuar nga Shkolla e Magjistraturës duke u uruar atyre suksese.

mit/NOA
KOMENTE