English

Ndahet nga jeta artisti Selim Ishmaku

Tiranë, 27 tetor, NOA/ Milena Selimi - Është ndarë nga jeta, pas një sëmundje të rëndë, muzikanti, orkestranti dhe mjeshtri i orkestrës së RTSH-së, Selim Ishmaku.

Për disa muaj me radhë, ai luftoi me dinjitet për jetën dhe muzikën, që i kushtoi gjithë energjinë e tij, por nuk arriti ta mposhtte. Në orët e para të mëngjesit të sotëm, artisti është ndarë nga jeta, duke lënë pas një humbje të madhe për familjen, miqtë, kolegët dhe artistët me të cilët punonte.

Selim Ishmaku ka punuar në redaksinë e muzikës në RTSH, duke dhën kontributin e tij vite me radhë si redaktor përgjegjës në festivalet e Këngës në RTSH dhe njëherësh drejtues dhe orkestrues i formacionit të vogël orkestral. Në festivalin e 48-të të këngës në RTSH, Selim Ishmaku mbante detyrën e udhëheqësit artistik dhe ndërsa prononcohej për mediat se “Një model të ri e jep vetëm një profesionist i partiturave të mëdha, nuk është deduktiv një artist i mesëm” ai shpaloste kredon e artistit që gjithmonë ka kërkuar muzikën e vërtetë, larg komercializmit dhe plagjiaturës.

Gjithmonë prezent në të gjitha aktivitetet e orkestrës së RTSH-së, Selim Ishmaku ishte pjesë e rëndësishme e punës së saj, duke bashkëpunuar në vite me kolegë të nderuar si Alfred Kaçinari, Shpëtim Saraçi, Ferdinand Deda, Gazmend Mullahi, etj.

Me punën e tij të përhershme, Selim Ishmaku mbetet shembulli i muzikantit të devotshëm që besonte në emocionin dhe ndjeshmërinë e tingullit që duhej të transmetohej nëpërmjet këngës tek spektatori.

“Me këtë festival të këngës të arrijmë në përfundimin që të çlirohen më shumë energji, të ketë më shumë emocione dhe publiku të shohë në mënyrë të realizuar çdo gjë që ne kemi dashur të prekim”-këto fjalë nga të fundit të tij, prononcuar për median e bëjnë Selim Ishmakun, Selën, si e njohin miqtë dhe kolegët një artist që e adhuroi muzikën deri në momentet e fundit të jetës dhe nuk e zhgënjeu kurrë tingullin që krijoi, emocionin që fali, publikun që e duartrokiti gjithë jetën. U prehtë në paqe shpirti i artistit Selim Ishmaku!

m.s/n.e/NOA

KOMENTE