English

Vijon operacioni “Prespa”, sekuestron veshmbathje kontrabandë, zbulohen bashkëpunëtorë

Tiranë, 27 tetor, NOA – Policia e kryeqytetit ka sekuestruar sot një sërë mallrash veshmbathje kontrabandë si dhe ka prangosur dy persona të tjerë në kuadër të operacionit të koduar “Prespa”.

Në një konferencë për shtyp, zëdhënësja e policisë së kryeqytetit, Alma Katragjini tha se gjatë operacionit “Prespa II”, u arrestuan 43 vjeçari Artur Xhevdet Malushi, banues në Tiranë dhe 23 vjeçari Festim Mark Bala edhe ky banues në kryeqytet.

Sipas Katragjinit shtetasit e arrestuar dyshohen se në bashkëpunim me njëri – tjetrin si dhe me shtetasin Vangjo Niçka, një person aktualisht nën hetim, i arrestuar pak ditë më parë, akuzohen për veprën penale të kontrabandës me mallrat e tjera si dhe për tregtimin dhe transportimin e mallrave kontrabandë.

Policia falë një hetimi 9 mujor zbuloi se dy të arrestuari bashkë me persona të tjerë kalonin mallra kontrabandë nga Maqedonia dhe Greqia, më pas në qytetin e Korçës me destinacion magazinimin e tyre, në tregun e Medresesë me shumicë, në rrugën “5 Maji” në Tiranë, pranë tregut industrial.

Gjatë ecurisë së këtij hetimi, në bashkëpunim dhe me Drejtorinë e Policisë Qarku Korçë u arrit kapja dhe arrestimi i një shtetasi në qytetin e Korcës, si dhe u bë e mundur gjetja e sekuestrimi i mallrave të tjera të magazinuara në qytetin e Korçës.

Në cilësinë e provës materiale u bllokuan një sasi e konsiderueshme mallrash kontrabandë, mallra të cilat kapin vlerën 300 mijë euro, ku përfshihen 568 xhupa për të rritur si dhe automjeti me targa ER 078A.

Zëdhënësja e policisë bëri me dije se aktualisht, vazhdon puna intensive për dokumentimin e veprimtarisë kriminale të personave të tjerë të përfshirë në këtë kontrabandë si dhe vijon puna për kapjen e një personi në kërkim, i cili tashmë është identifikuar.

Materialet për këtë çështje i kanë kaluar për hetim të mëtejshëm Prokurorisë së Tiranës.

mit/NOA
KOMENTE