English

Analiza e situatës ekonomike, FMN nis misionin

Tiranë, 28 tetor, NOA - Një mision i posaçëm i Fondit Monetar Ndërkombëtar mbërrin sot në Tiranë për të analizuar me qeverinë shqiptare ecurinë ekonomike dhe gjendjen aktuale të financave publike.

I kryesuar nga Geruin Bell, ky mision do të zhvillojë takime me përfaqësuesit e ministrisë së Financave për të diskutuar mbi projekt-buxhetin e vitit të ardhshëm, edhe ecurinë e buxhetit të këtij viti, pa harruar as çështjen e eurobondit, i cili pritet që të emëtohet e tij brenda kësaj jave.

Sipas të dhënave paraprake, misioni i FMN-së do të qëndrojë në Shqipëri rreth një javë, siç në fakt ka bërë edhe gjatë viteve të kaluara.

Ndërkaq, situata ekonomike në vend nga autoritetet e qeverisë vlerësohet si optimale, siç në fakt ka deklaruar së fundmi edhe kryeministri Berisha.

“Mund të them me bindjen më të plotë se shembulli më i shkëlqyer i 60 viteve të fundit i efektit të lirisë ekonomike është Shqipëria. Nuk ka një vend tjetër që të ilustroi më mirë efektet e saj, sesa ky vend, i cili vetëm 20 vjet më parë ishte një vend me të ardhura 204 dollarë për frymë dhe sot, ka rreth 6 apo 7 mijë dollarë për frymë. Nuk ka asnjë vend tjetër që të ketë pasur një kapërcim të tillë, nga vendi me të ardhurat e niveleve më të ulëta, në një vend me të ardhura të niveleve të mesme të larta”, ka deklaruar ai dje gjatë një ceremonie.

n.e/NOA

KOMENTE