English

Berisha: Shqipëria, shembulli më i shkëlqyer i efektit të lirisë ekonomike

Tiranë, 28 tetor, NOA - “Mund të them me bindjen më të plotë se shembulli më i shkëlqyer i 60 viteve të fundit i efektit të lirisë ekonomike është Shqipëria. Nuk ka një vend tjetër që të ilustroi më mirë efektet e saj, sesa ky vend, i cili vetëm 20 vjet më parë ishte një vend me të ardhura 204 dollarë për frymë dhe sot, ka rreth 6 apo 7 mijë dollarë për frymë. Nuk ka asnjë vend tjetër që të ketë pasur një kapërcim të tillë, nga vendi me të ardhurat e niveleve më të ulëta, në një vend me të ardhura të niveleve të mesme të larta”.

Kështu u shpreh kryeministri Berisha dje në mbrëmje në ceremoninë e promovimit të Fondacionit për Liri Ekonomike, si dhe librit të ekonomistit, Selami Xhepa “Miti mbi krizat dhe “Fundin e tregut”, botim i këtij fondacioni.

Sipas Berishës, liria ekonomike ka njohur në vitet ‘92-‘96 dimensionet më të paparashikuara për Shqipërinë dhe se është ky vend që çliroi çmimet, u dha atyre lirinë e parë dhe lirinë me të cilat ato kërcyen jo 1 apo 8, por 15 herë.

“Po ky shembull u faktua në mënyrë të shkëlqyer në vitet 2008-2009-2010. Ekonomia e këtij vendi është e dyta ekonomi në Europë që i rezistoi krizës ekonomike dhe ruan rritje ekonomike. Ekonomia e këtij vendi është e vetmja ekonomi që realizon sot 13 përqind të ardhura, më shumë se vitin e kaluar. Ekonomia e këtij vendi është e vetmja ekonomi në Europë që regjistron një rritje të eksporteve 60 përqind, në një kohë kur retë e krizës ende nuk janë kthjelluar dhe kjo, absolutisht, vetëm e vetëm sepse ky vend ju përmbajt me vendosmëri të madhe parimeve të lirisë ekonomike”, tha më tej kryeministri.

Duke përmendur edhe faktin se Shqipëria sot renditet për fillimin biznesit 27 pikë më lart, sesa vendet e OECD-së dhe kjo është asgjë tjetër veçse liri ekonomike.

“Ky vend renditet 7 përqind më lart, sesa mesatarja e vendeve të OECD-së, vendeve më të zhvilluara të planetit. Dhe kjo, jo se ky vend ka bërë investime miliarda dollarë për këtë qëllim, por sepse ka zhvilluar lirinë ekonomike”, përfundoi Berisha.

n.e/NOA

KOMENTE