English

Vetëvendosje! krijon Këshillin e ri në Mitrovicë

Mitrovicë, 29 tetor, NOA - Lëvizja Vetëvendosje! zhvilloi mbledhjen konstituive të radhës, këtë herë për krijimin e Këshillit për Zhvillimin e Qendrës në Mitrovicë. Mbledhjen e hapi aktivisiti i Vetëvendosje! Xhelal Sveçla i cili foli për rolin e Këshillave në strukturimin e kësaj Lëvizje gjithandej nëpër Kosovë, si dhe detyrat e secilit këshill për shtrirjen e rrjetit në secilën lagje dhe fshat të komunës.

Më pas, fjalën e mori Albin Kurti, i cili u përqendrua në situatën politike në vend dhe sfidat që e presin Lëvizjen Vetëvendosje! në të ardhmen.

Përveç të tjerash, ai u fokusua edhe tek problemet që i mundojnë qytetarët e veriut si dhe gjendjen e tyre ekonomike, sociale dhe arsimore, në të cilën ky pushtet i ka lënë pas dore qysh prej përfundimit të luftës e deri më sot.

Pas përfundimit të këtyre aktiviteteve, u mbajt një tubim në fshatin Bistricë të komunës së Albanikut (Leposaviçit). Në ambjentin e shkollës fillore të këtij fshati, ishin mbledhur banorët e tri fshatrave: Ceraj, Koshtovë dhe Bistricë.

Këta banorë u shprehen se janë tejet të zhgënjyer nga elita politike e deritanishme, e cila thanë se i viziton vetëm njëherë në katër vite, dhe se gjendja e tyre vazhdon të jetë e mjerushme si nga ana ekonomike e sociale, edhe ajo sigurisë.

Më pas aktivistët Xhelal Sveçla dhe Albin Kurti folën për nevojën e organizimit të banorëve, sepse problemet e tyre janë probleme të përbashkëta dhe duhet të zgjidhen në mënyrë kolektive.

n.e/NOA

KOMENTE