English

Imami: Panairi Almex, sukses i partneritetit shtet-biznes

Tiranë, 30 tetor, NOA - Në ditën e fundit të Ekspozitës Ndërkombëtare për Mbrojtjen dhe Sigurinë, Almex 2010, e organizuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe shoqëria “Klik Ekspo Group”, ministri i Mbrojtjes Arben Imami, vlerësoi se ky event ishte një sukses i partneritetit shtet-biznes.

“Ne vlerësojmë si ministri e Mbrojtjes që ishte një sukses i përbashkët i biznesit shqiptar midis biznesit dhe kompanive të huaja që punojnë në fushën ushtarake dhe të Ministrisë së Mbrojtjes”, tha ai.

Duke shtuar se ky event i dha mundësi ministrisë së Mbrojtjes, të komunikojë me një rreth të gjerë përfaqësuesish të industrive ushtarake dhe njëkohësisht t’i prezantojë ata me kapacitetet tona në fushën e prodhimit, në fushën e demontimit dhe të modernizimit të ushtrisë shqiptare.

“Ky është një dialog i cili sapo ka filluar midis kësaj Ministrie dhe industrive, por të jeni të sigurt që ashtu si për çdo ushtri dhe për çdo Forcë të Armatosur të vendeve të NATO-s, edhe Forcat tona të Armatosura do të shkojnë në një proces të ripajisjes dhe modernizmit të tyre, proces që nuk mund të bëhet veçse përmes një bashkëpunimi të qartë, të ngushtë dhe transparent me industrinë ushtarake”, tha më tej Imami.

Duke shtuar se vetë interesimi që ka pasur qoftë nga pjesëmarrësit në këtë panair por edhe nga publiku shqiptar, tregon që padyshim që ky panair ishte një sukses.

“Ne jemi të lumtur që më në fund edhe Shqipëria arrin në një bashkëpunim midis biznesit vendas dhe Ministrisë së Mbrojtjes të realizoj të parin panair në fushën e Mbrojtjes dhe të Sigurisë”, përfundoi Imami lidhur me një çështje të tillë.

n.e/NOA

KOMENTE