English

Operacioni, bllokohen 13 makina dhe procedohen 3 persona

Gjirokastër, 30 tetor, NOA – Sekuestrimi i një makine luksoze Audi Q7, një arme zjarri kallashnikov, 300 fishekë, kapja e një personi të shpallur në kërkim, bllokimi i 13 automjeteve dhe nisja e procedimit penal për dy persona që kundërshtuan forcat e policisë ka qenë bilanci i një operacioni të zhvilluar nga policia e Gjirokastrës.

Siç ajo bën me dijeni për agjencinë e Lajmeve NOA, gjatë dy ditëve të zbatimit të tij, nga ana e postoblloqeve të policisë janë kontrolluar 312 automjeteve, ku ka rezultuar se 13 automjete ishin pa dokumentacion përkatës dhe janë transportuar për në pikën e bllokimit.

Gjithashtu, u janë hequr xhamat e zinj 34 automjeteve dhe janë ndëshkuar me masë administrative 5 mijë lekë të reja gjobë.

Mësohet ndër të tjera se janë kontrolluar 23 lokale dhe ambjente të tjera, si dhe 4 banesa, ndërsa janë verifikuar dhe këshilluar 28 persona.

Nga ana tjetër, është bllokuar edhe automjeti tip Audi i një personi me inicialet C.G. nga Lazarati, i cili është arrestuar për veprën penale të “Trafikut të mjeteve Motorrike”, pasi ai rezultoi si i vjedhur.

Dhe në fund, në kuadër të operacionit, është bërë e mundur kapja e një personi të shpallur në kërkim dhe konkretisht, me inicialet E.G, nga Korça, pasi ishte dënuar me 3 muaj burg për “Shkelje të rregullave të shërbimit të rojes”.

Në fund, nga kontrolli në banesa është bërë e mundur bllokimi dhe sekuestrimi i një arme zjarri kallashnikov dhe 300 fishekë, si dhe është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit S.H, për veprën penale “Mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”.

Po kështu, nga ana e Policisë së Tepelenës, ka nisur procedimi penal në ngarkim të dy personave me inicialet V.K, dhe K.K , babë e bir për kundërshtim të forcave të saj gjatë kontrollit të lokalit që këta kanë në pronësi.

n.e/NOA

KOMENTE