English

Prononcimet e plota, ç’thanë Tavo dhe Meta për bashkimin në LSI

Tiranë, 30 tetor, NOA - Deputeti Vangjel Tavo: “Sot, rreth një muaj nga largimi im nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, në pritje të një përgjigje pozitive nga lidershipi i Partisë Socialiste për kërkesat që i kam bërë unë dhe shokët e mi socialistë të rrethit të Gjirokastrës, përgjigje e cila do të çtensiononte situatën në Partinë Socialiste të Gjirokastrës dhe do më kthente mua në grupin parlamentar të Partisë Socialiste.

Përgjigje e cila nuk ka ardhur deri në datën 29 që kishim vendosur si kusht, unë, për të mbrojtur idetë e mia të majta, për të mbrojtur interesat e elektoratit tim, vendosa që t’i bashkohem grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, në krah të shokëve të mi të vjetër në këtë parti, kryetarit të saj, Ilir Meta dhe Luan Rama, duke mbrojtur idetë e mia të majta, dinjitetin dhe integritetin tim si deputet në Parlamentin shqiptar, dhe duke qëndruar për gjithë jetën socialist”.

Kryetari i LSI, Ilir Meta: “Unë dua t’i uroj mirëseardhjen në grupin tonë parlamentar deputetit të njohur socialist, Vangjel Tavo, njëkohësisht një koleg i imi, por edhe i z.Rama prej gati 20 vitesh në Partinë Socialiste. Dua të siguroj z. Tavo se në Lëvizjen Socialiste për Integrim jam jo vetëm unë me Luanin, që ai na njeh prej 20 vitesh, por janë dhe shumë të tjerë që ai njeh prej një kohe të gjatë, si dhe shumë të tjerë që do të ketë mundësi të njohë në të ardhmen dhe do të gjejë të gjitha hapësirat për të vijuar kontributin e tij politik, për të përfaqësuar interesat e të gjithë atyre që kanë besuar te idetë e tij, por edhe të personaliteti i tij, jo vetëm atyre që e kanë votuar për katër mandate rresht, por edhe shumë të tjerëve në mbarë vendin që e njohin për shkak angazhimit 20 vjeçar në jetën politike.

Besoj se kontributi i z.Tavo do të jetë një kontribut i shtuar në vlera, në ide, për shkak të eksperiencës që ai ka, por edhe grintës politike që ka treguar vazhdimisht. Në këtë mënyrë unë besoj se ne të gjithë së bashku do të arrijmë të mbrojmë interesat e të gjithë qytetarëve shqiptarë që duan integrimin e vendit, dhe njëkohësisht vlerat dhe aspiratat e të gjithë atyre socialistëve dhe progresistëve, që kanë objektiv kryesor përshpejtimin e integrimit europian të Shqipërisë, pasi me këtë është e lidhur jo vetëm kontributi i shumicës së shoqërisë shqiptare për 20 vite, por edhe e ardhmja e mbarë shoqërisë sonë dhe e gjithë qytetarëve shqiptarë. Edhe njëherë tjetër e falënderoj z. Tavo për zgjedhjen që ai ka bërë. Jam i bindur që kjo është një zgjedhje e drejtë, është një zgjedhje e mirëpritur nga ana jonë dhe është një zgjedhje që do të bëjë të mundur, edhe njëherë tjetër, rritjen e angazhimit të përbashkët për të mbrojtur ato vlera, ato principe që na kanë bashkuar prej kohësh dhe, mbi të gjitha, për të çuar përpara integrimin europian të vendit tonë”.

NOA

KOMENTE