English

Topalli në Marok: Të forcojmë bashkëpunimin si vende të Mesdheut

Kazablanka, 30 tetor, NOA - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ndodhet në Marok për një vizitë zyrtare, e ftuar nga Presidenti i Dhomës së Përfaqësuesve të Marokut, Abdelwahad Radi.

Në këtë vizitë të parë të këtij niveli të kryeparlamentares Topalli ajo mori pjesë në Sesionin 5-të plenar të Asamblesë Parlamentare të Mesdheut, ku zonja Topalli u takua me homologë të saj nga vende të ndryshëm të botës, pjesëmarrës në këtë ansamble.

Kryetarja e Kuvendit në një intervistë i cilësoi punimet e Asamblesë Parlamentare të Mesdheut si një mundësi të jashtëzakonshme për të shkëmbyer eksperienca me vendet e Mesdheut si dhe për të ngritur nivele të reja bashkëpunimi me këto vende në të gjitha fushat.

“Pjesëmarrja në Asamblenë Parlamentare të Mesdheut ka një rëndësi të veçantë. Pa dyshim është një mundësi, që na jep kjo asamble, për shkëmbimet e eksperiencave me të gjitha vendet e Mesdheut, për të njohur dhe për të zhvilluar midis nesh perspektiva të reja bashkëpunimi në të gjitha fushat”, u shpreh kryeparlamentarja shqiptare.

Gjatë vizitës ajo u takua me personalitete të larta të Marokut, kryefjala e takimeve me të cilët ishte nxitja dhe forcimi i marrëdhënieve mes dy vendeve si dhe intensifikimi i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Marokut për shkëmbimet ekonomike, sociale, kulturore, etj.

Një tjetër takim të rëndësishëm, Kryetarja e Kuvendit e ka zhvilluar edhe me Kryeministrin e Marokut, Abbas El Fassi, i cili në mbështetje të vendosjes së një bashkëpunimi të ngushtë midis vendit që ai drejton dhe Shqipërisë pritet të zhvillojë një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Gjatë këtij takimi, dy personalitetet shkëmbyem mendime mbi situatat, mbi zhvillimet, mbi mundësitë dhe potencialet që dy vendet tona si vende anëtare të Mesdheut kanë nevojë për të vendosur bazat ligjore për të filluar një bashkëpunim të ngushtë dhe të fuqishëm në fushën ekonomike, të tregtisë, në fushën e eliminimit të taksave të dyfishta, shkëmbimet kulturore etj.

Në vlerësimin e saj zonja Topalli theksoi gjatë intervistës se “Duke qenë një njeri që besoj fort në diplomacinë parlamentare dhe duke gjetur këtu po ashtu kolegët e mi të cilët i japin një rëndësi shumë të madhe shërbimeve parlamentare, pa dyshim që filluam të mendojmë për një program shkëmbimesh eksperiencash dhe vizitash në të ardhmen, jo vetëm në nivelin parlamentar, por me besimin, ashtu siç tha edhe kryeministri i Marokut se mund të vijë për një vizitë zyrtare në Shqipëri për t’i bërë këto raporte më të ngushta dhe më konkrete”, bëri me dije Kryetarja e Kuvendit.

Po ashtu, Kryetarja e Kuvendit është pritur në një takim të veçantë, nga homologu i saj, Presidenti i Dhomës së përfaqësuesve të Marokut, Abdelwahad Radi.

Zonja Topalli e falenderoi zotin Radi për ftesën që i kishte bërë ndërsa shprehu kënaqësinë për të zhvilluar këtë vizitë zyrtare në Marok.

“Është hera e parë që realizohet një vizitë e tillë zyrtare, në nivel kryetarësh parlamenti dhe delegacionesh parlamentare”, tha kryeparlamentarja Topalli.

Gjatë takimit, të dy homologët vlerësuan maksimalisht nivelin e marrëdhënieve të mira midis dy parlamenteve dhe dy vendeve, ndërsa shprehën angazhimin e përbashkët për intensifikimin e këtyre marrëdhënieve edhe më tej.

Po ashtu zonja Topalli zhvilloi një takim të veçantë edhe me Presidentin e Dhomës së Këshilltarëve të Marokut, Mohamed Cheikh Biadilh si dhe me përfaqësues të tjerë të lartë të shtetit të Marokut.

Në bisedimet me personalitetet temë e diskutimit ishte edhe njohja e Kosovës.

Duke e cilësuar shtetin e pavarur të Kosovës si një faktor të rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajon, Kryetarja e Kuvendit kërkoi nga shteti i Marokut shqyrtimin e mundësive për njohjen e Kosovës.

mit/NOA
KOMENTE