English

Boboshticë, digjen kurorat te memoriali i ushtarit grek në ditën e Çlirimit të Greqisë

Korçë, 31 tetor, NOA – Pas kremtimit të Ditës së Çlirimit të Greqisë nga shoqata OMONIA dhe konsullata greke në Korçë, të cilat në përkujtim të ushtarëve grekë të rënë në luftë vunë kurora në memorialin e ushtarit grek në fshatin Boboshticë të Korçës, mësohet se kurorave u është vënë zjarri nga persona të paidentifikuar.

Ky përkujtim vjen direkt pas debatit të çelur para pak ditësh nëpër disa media shqiptare, që deklaruan se për ngritjen e memorialit të ushtarit grek mes dy parcelave të varrezave 200 vjeçare në Boboshticë, manastiri i Shën Mërisë ku ndodhen edhe varrezat e fshatit, ka zhvarrosur eshtrat e të parëve për të vënë kryq memorial në kujtim të ushtarëve grekë.

Gjatë festimeve të ditës së Çlirimit të Greqisë në meshën e mbajtur në kujtim të të rënëve grekë në vitin 1940 kanë mbërritur edhe vizitorë nga Greqia që kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurora e buqeta me lule pranë Memorialit të ushtarit grek, të rënë pikërisht në atë vend, në vitet e luftës italo-greke.

Por, debati mediatik u shënua në disa media pasi sipas tyre banorët kishin ngritur shqetësimin se nga punimet e bëra në varreza janë dëmtuar varret e të parëve të banorëve të zonës.

Po sot organizata rinore e Partisë Drejtësi dhe Unitet, që mbron interesat e popullsisë çame ka reaguar duke kërkuar ndërhyrjen e institucioneve shtetërore lidhur me ngjarjen sipas tyre të zhvarrimeve në Boboshticë, duke deklaruar se duhet ndalur përdhosja e shqiptarëve, duke çuar përpara drejtësisë fajtorët.

Lidhur me djegien e kurorave të vendosura në memorialin e ushtarit grek, policia e Korçës ka nisur hetimet dhe identifikimin e autorëve.

mit/NOA
KOMENTE