English

Halloween, Fier, pronari hedh poshtë vjedhjen e argjendarisë nga dy të rinj të maskuar

Fier, 31 tetor, NOA, Update – Edhe pse policia ka nisur kërkimin e dy personave të dyshuar për një grabitje në një argjendari në qendër të Fierit, vetë pronari i saj i pyetur nga policia ka mohuar vjedhjen në dyqanin e tij, duke thënë se dy të rinjtë nuk kanë grabitur asgjë në argjendarinë e tij, porse vetëm kanë thyer vitrinën e argjendarisë.

Policia në fakt ka dyshuar për një grabitje pasi personat ishin të maskuar, gjoja për të kremtuar natën e Halloweenit.

Policia e Fierit bëri të ditur se ka mbërritur në mjediset e argjendarisë pas një telefonate të marrë në zyrat e saj, ku njoftohej se pranë ish mapos së qytetit të Fierit, ku ndodhet edhe dyqani i argjendarisë po ndodhte një grabitje.

Uniformat blu kanë parë se vitrina kryesore e argjendarisë ishte thyer duke lënë përshtypjen e një grabitjeje.

Pasi kanë marrë në pyetje pronarin e argjendarisë, ky i fundit ka treguar se rreth orës 18.20 në dyqanin në pronësi të tij kishin hyrë dy të rinj, të maskuar dhe kanë bërë pazar për një varëse floriri, porse dy të rinjtë nuk kanë rënë dakort me çmimin e varëses.

Sipas pronarit të rinjtë ishin të dehur dhe ata kanë nisur të debatojnë me pronarin dhe janë grindur aty për aty duke e qëlluar atë me grushta, por pas mbërritjes së policisë ata janë larguar duke lënë të thyer vitrinën e argjendarisë.

Efektivët e policisë edhe pse pronari mohoi grabitjen, po punojnë për identifikimin e dy të rinjve.

Sipas pronarit ata ishin dy të rinj të moshës 18-20 vjeç.

Ata kishin kapuçë në kokë, që u kishin mbuluar edhe një pjesë të mirë të fytyrës.

Ngjarja në fjalë ndodhi edhe për shkak të natës së Halloweenit, ku edhe në qytetet shqiptare ka nisur të festohet.

Kjo natë që kujton ngjalljen e shpirtrave të të vdekurve dhe që festohet në SHBA-të sipas një tradite të keltëve të Irlandës, duket se mund të përdoret jo vetëm për qejf, por është një rast mjaft i shfrytëzueshëm edhe për të grabitje apo vrasje, ngjarje që kanë ndodhur në vendet ku festohet Halloweeni.

mit/NOA
KOMENTE