English

Ndotet me inerte zona e “Ujit të Ftohtë”, gjobitet kompania e ndërtimit

Vlorë, 31 tetor, NOA – Një kompani ndërtimi, e cila ka ndotur mjedisin me inerte në një sipërfaqe plazhi të rivierës sonë, pikërisht në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë, është gjobitur sot nga Agjencia Rajonale e Mjedisit.

Gjatë inspektimit të kësaj zone është vërejtur se kompania e ndërtimit që po ndërton një kompleks pallatesh katërkatësh në zonën turistike të Ujit të Ftohtë, vazhdimisht gjatë këtij bregdeti deri në afërsi të Kalasë ka hedhur inerte e gurë duke ndotur këtë pjesë të vijës bregdetare.

Ndotja është kryer mbi një sipërfaqe prej rreth 40 mijë m2, ku po ndërtohen pallatet katërkatësh.

Korrespondenti i agjencisë NOA bën të ditur se leja e ndërtimit për këtë kompleks është dhënë nga Këshilli i Rregullimit të Territorit të bashkisë së Vlorës, një leje ndërtimi e kontestuar vazhdimisht nga amjentalistët.

Në inspektim ka marrë pjesë vetë drejtori i ARM-it, Geron Gumbardhi, i cili pas paralajmërimeve të shumta ka vendosur ta gjobitë kompaninë e ndërtimit për ndotje sistematike të mjedisit dhe mosrespektim të legjislacionit për ruajtjen e mjedisit.

Madje Gumbardhi ka akuzuar për çështjen në fjalë bashkinë e Vlorës për dhënien e lejes së ndërtimit në këtë zonë, një leje që sipas Gumbardhit është e paligjshme.

Ai ka akuzuar edhe policinë bashkiake dhe atë të ndërtimit që kanë lejuar ndotjen e këtyre zonave duke mos kryer detyrën e tyre, në mbrojtje të kësaj zone turistike ndër më të pëlqyerat.

Drejtori i ARM-it, theksoi se kontrollet përgjatë bregdetit të Vlorës do të shtohen për të mos lejuar ndotjen e këtij bregu turistik.

mit/NOA
KOMENTE