English

Qytetarët e Tiranës, sot lëvizën pa abone nëpër autobusa

Tiranë, 1 nëntor, NOA – Qytetarët e Tiranës, sot kanë shënuar ditën e tyre të parë të lëvizjes me autobusat urbanë të transportit publik, pa patur abonetë e pajtimit mujor në xhepat e tyre.

Kjo pasi data e sotme ka shënuar heqjen e aboneve të përgjithshme, atyre të linjave përkatëse apo edhe ato për studentët, madje edhe të librezave që njiheshin deri më sot nga shteti, si ato të invalidëve apo të pensionistëve.

Ky vendim u mor nga Shoqata e Operatorëve të Transportit Publik, pas mosreagimit të Ministrisë së Financave dhe asaj të Transporteve për të realizuar kërkesat e parashtruara pak kohë më parë prej saj.

Ndërkaq, sipas të dhënave, nga mungesa e aboneve, kartës së invalidit, asaj të veteranit, kartës së studentit e të tjera preken rreth gjysma e qytetarëve të cilët lëvizin nëpër kryeqytet duke përdorur autobusat urbanë të transportit publik.

Deri tani, asnjëri prej institucioneve nuk ka mbajtur përgjegjësi për një amulli të tillë të shkaktuar, duke ia hedhur fajin njëri-tjetrit.

n.e/NOA

KOMENTE