English

Bumçi: Abonetë, Rama të ushtrojë përgjegjësitë që i takojnë për qytetarët

Tiranë, 2 nëntor, NOA - Situata me të cilën po përballen çdo ditë qytetarët e Tiranës lidhur me transportin publik - studentët, invalidët, veteranët, pensionistët - është e pafalshme. Ky është shqetësimi që ka ngritur sot deputeti i Tiranës, Aldo Bumçi, në një dalje për mediat, duke parashtruar publikisht shqetësimin e të gjithë qytetarëve të kryeqytetit mbi shërbimin urban.

“Shoqata e Transportit Urban në qytetin e Tiranës ka marrë vendimin që nuk njeh asnjë lloj aboneje: as abonetë që ofrojnë shërbim falas për invalidët dhe veteranët, dhe as kategoritë e tjera të aboneve për studentët, pensionistët dhe qytetarët. Të gjithë qytetarët do të mund të udhëtojnë vetëm duke blerë biletën”, tha Bumçi.

Duke shtuar se shërbimi urban në Tiranë shfrytëzohet nga rreth 120,000 qytetarë, më shumë se gjysma e të cilave përdorin abone.

“Ky vendim rëndon në xhepin e çdo qytetari dhe familje, aq më shumë të atyre kategorive shoqërore të cilat kanë nevojë për mbështetje”, tha më tej deputeti demokrat.

Duke shtuar se Shërbimi i Transportit Urban është kompetencë e pushtetit vendor, dhe në këtë rast e Bashkisë së Tiranës dhe e z.Rama.

“Është Bashkia e Tiranës ajo që kryen të gjitha procedurat dhe lidh kontratat me operatorët që ofrojnë këtë shërbim. Bashkia e Tiranës duhet të zgjidhë me urgjencë këtë situatë të papranueshme dhe t’u dalë për zot interesave të drejta të qytetarëve të Tiranës dhe përgjegjësive të saj në ushtrimin e këtij funksioni”, - u shpreh Bumçi.

Më pas, studentët që shoqëroheshin nga deputeti Bumçi theksuan se ky vendim arbitrar i Bashkisë së Tiranës, po krijon vështirësi të mëdha ekonomike për ta pasi ata janë përdorues të rregullt të transportit urban në kryeqytet. n.e/NOA

KOMENTE