English

Duke pritur që shteti të kuptojë rëndësinë e turizmit

Të gjithë e keni të qartë rëndësinë e turizmit për vendin tuaj. Me thënë të drejtën, prisja që pas dy vitesh eksperiencë në Shqipëri, që të gjithë ta kuptonin rëndësinë e këtij sektori, dhe se të gjithë duhet të kemi parasysh rëndësinë që ai ka për punësimin e të nesërmes, apo të ardhurat që sjell për ekonominë vendase

Nga Prof. Dr. Salvatore Messina

Jam i gëzuar sot t’ju komunikoj hapjen e vitit të tretë akademik të Universitetit Evropian të Turizmit, 2010-2011. Përshëndes me këtë rast të pranishmit dhe i falënderoj, në mënyrë të veçantë që janë këtu, z. Vasil Shehu, sekretar i Përgjithshëm i ministrisë së Turizmit, i cili përfaqëson këtu vetë ministrin Ferdinand Xhaferraj; z. Viktor Tushaj, kryetarin e Bashkisë së Lezhës; z. Giovanni Colonna, përgjegjës i laboratorit teknik në EUFT; z. Perikli Qirjazi, profesor i EUFT; z. Klodian Pajuni, drejtues i Turizmit në MKTRS; z. Agim Doçi, profesor i Etikës në EUFT; znj. Frenka Paloka, drejtoreshë e Agjencisë Kombëtare të Turizmit etj.

Falënderoj edhe 13 universitetet evropiane që bashkëpunojnë me ne, si edhe 93 profesorët që gjatë këtij viti akademik do t’u japin mësim studentëve të universitetit tonë. Pa harruar as drejtuesit e Komisionit Evropian të cilët do të vijnë të japin mësim, si edhe 36 docentët shqiptarë, që do të bashkëpunojnë me ne.

Të gjithë e keni të qartë rëndësinë e turizmit për vendin tuaj. Me thënë të drejtën, prisja që pas dy vitesh eksperiencë në Shqipëri, që të gjithë ta kuptonin rëndësinë e këtij sektori, dhe se të gjithë duhet të kemi parasysh rëndësinë që ai ka për punësimin e të nesërmes, apo të ardhurat që sjell për ekonominë vendase.

Sikundër, duhet të njohim edhe rëndësinë e turizmit për kontributin që ai jep në zhvillimin e sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme, siç janë ato artizanale, bujqësore etj; si edhe të mirat materiale që siguron.

Në nivel ndërkombëtar, turizmi ka shënuar një rritje në nivelin prej 4 për qind në vitin 2009 dhe i njëjti turizëm në Shqipëri, ka shënuar rritje deri në nivelin prej 34 për qind. Kjo është një e dhënë mjaft pozitive për Shqipërinë, ku vetëm në 6 muajt e parë të vitit është shënuar rritje me 10.2 për qind, parë kjo në kuotat e regjistruara të mbërritjes së turistëve të huaj nga jashtë.

Por është fakt se 64 për qind e turistëve që vijnë në Shqipëri, janë nga Ballkani, kryesisht nga Kosova dhe Maqedonia, e pavarësisht këtij niveli të lartë, duhet thënë se ata vijnë vetëm për pak muaj, në periudhën korrik-gusht. Kjo domethënë se nuk ka ende një program të detajuar për turizmin. Dhe kjo gjë ndikon shumë në shërbimet që ofrohen prej operatorëve turistikë. Ky është një realitet, që në dukje duket se janë shifra optimiste, por që flasin për një negativitet në mënyrën sesi zhvillohet ende turizmi në Shqipëri.

Turizmi është në qendër të politikave prioritare për qeverinë Berisha dhe unë vetë i kam ndjekur me shumë kujdes deklaratat e tij mbi fushën e turizmit. Më pas, i kam shkruar edhe një letër përgëzuese rreth tyre dhe nismave të qeverisë që ai drejton, për sektorin e turizmit.

Dhe tani besojmë se qeveria do të vërë në dispozicion të zhvillimit të turizmit edhe burimet e duhura financiare. Duhen bërë sidomos investime për të arritur standardet në nivelin evropian të turizmit si edhe klasifikimin e agjencive dhe të njësive akomoduese.

Por edhe për të rritur më shumë cilësinë e shërbimit të ofruar ndaj turistëve.

Sikundër, duhet që të thellohet edhe kontrolli nga ana e palëve të treta për turizmin. Në fund, duhet që një vend të veçantë t’i kushtohet edhe punës për përmirësimin e imazhit turistik të Shqipërisë.

Objektivat kryesore që duhet të arrihen përmes këtyre investimeve janë së pari, zgjatja e periudhës turistike në Shqipëri, që ajo të mos jetë më vetëm gjatë muajve korrik dhe gusht, por të shtrihet në çdo pjesë të vitit.

Duke kërkuar ato tregje që e kanë për kulturë të zhvillojnë turizëm dhe udhëtime turistike edhe gjatë periudhave të tjera të vitit, përveç verës, si për shembull vendet e veriut të Evropës.

Eshtë fakt se në Shqipëri turistët që vijnë për shembull nga vende si Britania e Madhe apo Gjermania, zënë vetëm 2-3-4 për qind të totalit, ndërsa ata që vijnë nga Kosova zënë 37 për qind dhe ata nga Maqedonia, 13 për qind.

Ky ka të bëjë me një gabim të programacionit turistik, Prandaj duhen organizuar aktivitete të tilla që t’i tërheqin turistët edhe gjatë pjesëve të tjera të vitit e jo vetëm gjatë verës.

Ne si Universitet Evropian i Turizmit, kemi organizuar për shembull nismën “Shqipëria është Kulturë”, në të cilën u regjistruan 1750 të rinj për të marrë pjesë në të, ndërsa u regjistruan mëse 12 mijë spektatorë gjatë 4 netëve zhvillimit të tij.

Madje kanë qenë media të cilat kanë patur artikuj pasqyrues rreth aktivitetit me titullin “Të rinjtë pushtojnë Apoloninë”, ose të tilla që e cilësonin evenimentin “Shqipëria është Kulturë” si më i madhi i zhvilluar ndonjëherë.

Ndërkaq, pas aktivitetit të zhvilluar në parkun arkeologjik të Apollonisë, 1 muaj më pas ne u zhvendosëm në Lezhë, ku realizuam evenimentin “Netët e Bardha të Kulturës Shqiptare”, më 19 qershor të këtij viti.

Por përse Universiteti Evropiani i Turizmit (EUFT), ndërmerr të tilla nisma?

Sepse ne jemi të bindur që aktivitete të tilla kanë mjaft efekt dhe paraqesin më shumë rëndësi se 100 libra së bashku apo konferenca që mund të zhvillohen për idenë sesi mund të bëhet dhe të zhvillohet turizmi.

Ndaj ne nuk e kemi frikë që të bëjmë lidhjen mes teorisë dhe praktikës, sa u përket ideve për zhvillimin e mëtejshëm të sektorit të turizmit në Shqipëri.

Jam vërtet i kënaqur që ministri i Kulturës, Ferdinand Xhaferraj, pranoi të ishte president i Komitetit të Nderit për nismën “Shqipëria është Kulturë”. E kjo, pasi për vitin që vjen, kjo nismë do të jetë edhe më aktive, duke patur një prezencë më të madhe edhe nga ambasadat.

Ndërkaq, ne duam që bashkëpunimi me Agjencinë Kombëtare të Turizmit, të arrijë që të shfaqë edhe këtë pjesë tjetër të Shqipërisë. Ne jemi të bindur se Shqupëria ka vërtet shumë burime për turizmin dhe qëndrueshmërinë e tij, thjesht duhet që ato të kombinohen mirë me njëri-tjetrin.

Nga ana tjetër, menaxhimi i njësive akomoduese dhe strukturave turistike, duhet që të ndahet nga pronari i tyre dhe të mbrojë para së gjithash, konsumatorin, pra turistin që i frekuenton ato.

Shqipëria duhet që të bëjë një menaxhim sa më të mirë të territorit për të vendosur qartë se cilat janë njësitë turistike. Duhet të ndahet edhe më mirë territori, në mënyrë që turisti ta dijë se çfarë duhet të vizitojë kur mbërrin në Shqipëri.

Sikundër, duhet që të ketë edhe një sportel unik për investitorët, të cilët duan që të investojnë në sektorin e turizmit në Shqipëri, por edhe një polici turistike, e cila t’i mbrojë turistët.

Ajo që është e rëndësishme, është fakti që shteti të investojë në burimet njerëzore sa i përket turizmit dhe kjo vlen si për shtetin, ashtu edhe për privatin.

Ja përse ne i jemi bashkangjitur edhe nismës për legjislacionin e ri në fushën e turizmit.

Ju bëj me dijeni gjithashtu, se në fund të muajit nëntor, Universiteti Evropian i Turizmit, do t’i prezantojë ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale, një projekt për kurse informative, ndërsa i kemi kërkuar ministrisë së Arsimit dhe Shkencës hapjen e dy filialeve tona në Fier dhe në Lezhë, e duam të hapim të tjera të tilla të EUFT në rajone të tilla ku turizmi konsiderohet si më aktiv në territorin e Shqipërisë.

Ndërkaq, ju njoftoj hapjen e filialeve tona në qytetet italiane të Venecias, Firences, Romës, Napolit dhe Milanos. Një sforcim i madh ky i fondacionit tonë, por që janë hapur në bazë të kërkesave të agjencive të ndryshme turistike.

Por fondacioni ynë hap dyert dhe për partnerët e tjerë që duan të investojnë në fushën e turizmit. Ne jemi të bindur që Universiteti Evropian i Turizmit është pjesë edhe e një strukture që do të zgjerohet në Evropë.

Është fakt se çdo vit nevojiten 3 mijë specialist të turizmit (shifër kjo e ofruar nga OBT, Organizata Botërore e Tregtisë), ndërsa ne këtë vit do të diplomojmë vetëm 44 të tillë.

Ndërkaq, në fund të semestrit të parë, ata do të shkojnë për të qëndruar një javë në Itali, e në fund të shkollës, do të qëndrojnë për 4 javë atje.

Impenjimi ynë është konstant, me qëllimin e sigurimit të një bashkëpunimi cilësor me operatorët privatë dhe shtetërorë, për të rritur sa më shumë cilësinë e turizmit në Shqipëri.

* Fjala e mbajtur në ceremoninë e hapjes së vitit të ri akademik në Universitetin Evropian të Turizmi

KOMENTE