English

Topi-Pritçard: Parlamenti britanik, ndihmë për Shqipërinë

Londër, 3 nëntor, NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi pati sot një takim me kryetarin e grupit mbarëparlamentar të parlamentit britanik për Shqipërinë, Mark Pritçard dhe anëtarët e tjerë të këtij grupi, në kuadër të vizitës së punës që kryetari i shtetit po zhvillon në Mbretërinë e Bashkuar.

Presidenti pasi shprehu kënaqësinë për takimin, vlerësoi nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar në të gjitha nivelet dhe vuri në dukje vullnetin dhe angazhimin maksimal të shtetit shqiptar për intensifikimin e mëtejshëm të tyre.

Duke vlerësuar lart mbështetjen e jashtëzakonshme britanike dhënë vendit tonë në përmbushjen me sukses të aspiratave të tij integruese, presidenti Topi shprehu gjithashtu kënaqësinë për zhvillimin pozitiv të marrëdhënieve të gjithanshme dhe bashkëpunimin ndërparlamentar midis dy vendeve tona, si dhe besimin e inkurajimin për zgjerimin e tyre në të ardhmen, sidomos nëpërmjet shkëmbimit të vizitave të tilla të ndërsjella.

Në këtë kontekst, kryetari i shtetit vuri në dukje kontributin e pamohueshëm që anëtarët e grupit mbarëparlamentar të parlamentit britanik për Shqipërinë kanë dhënë në këtë drejtim.

Gjatë bisedës, Topi bëri një panoramë të gjerë të zhvillimeve më pozitive në vend në kuadër të përmbushjes me sukses të aspiratës për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian, duke vënë në dukje angazhimin serioz të shtetit shqiptar dhe vendosmërinë për vazhdimin e reformave të domosdoshme për të qenë të integruar dhe anëtarë të denjë të familjes së madhe evropiane.

Nga ana e tij, Pritçard dhe anëtarët e tjerë të grupit mbarëparlamentar të Parlamentit Britanik për Shqipërinë, vlerësuan përparimin e jashtëzakonshëm të bërë nga vendi ynë në drejtim të konsolidimit të demokracisë, fuqizimit të institucioneve të pavarura, ndërmarrjes me sukses të reformave rrënjësore e të gjithanshme, të cilat bënë të mundur edhe anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut Verior.

n.e/NOA

KOMENTE