English

“Fuqizimi i të rinjve nëpërmjet zhvillimit të komunitetit”, promovohet projekti

Tiranë, 4 nëntor, NOA - Bashkia e Tiranës, promovoi sot në ambientet e Qendrës Multimediale “TEN”, projektin më të ri “Fuqizimi i të rinjve nëpërmjet zhvillimit të komunitetit”, një bashkëpunim me Bankën Botërore në Shqipëri dhe që ka si qëllim krijimin e hapësirave të punësimit, formimit profesional dhe zhvillimit për të rinjtë.

“Ky është një projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse synon të sfidojë një prej armiqve më të mëdhenj, më të rrezikshëm dhe më të fortë që ka shoqëria jonë, që është papunësia, ku 45 % e të rejave të këtij vendi janë të papuna dhe 30% e të rinjve të këtij vendi janë të papunë dhe të mos harrojmë se edhe me vetë shifrat në këtë vend, ne kemi një problem të pazgjidhur që rëndohet dita-ditës, për shkak të hendekut që shkon duke u zgjeruar, mes shifrave zyrtare dhe shifrave reale që fshihen në pamundësinë dhe paaftësinë për t’i bërë ato publike”, u tha në këtë takim nga kryebashkiaku Rama.

Sipas tij, nëse ka varfëria një dimension të sajin, që e bën atë po aq kërcënuese dhe të rrezikshme sa edhe papunësia për shoqërinë, është ai dimension që nuk lidhet thjesht me faktin që varfëria është një gjendje materiale, por lidhet me faktin se varfëria i ka rrënjët e veta tek pjesa më dërrmuese e saj, që është varfëria e aspiratave.

“Sot, në shoqërinë tonë, ne duhet të ballafaqohemi nga njëra anë me papunësinë në rritje dhe nga ana tjetër, me kushtet e një varfërie që i bën aspiratat e njerëzve tanë gjithnjë e më të ulëta”, tha ai.

Ai shtoi se ky është një projekt inovativ dhe kjo është një e vërtetë shumë e rëndësishme për këtë projekt. Është një projekt i lindur pikërisht si sfidë ndaj varfërisë së aspiratave dhe si një përpjekje për të adresuar çështjen e papunësisë, jo me synimin e pamundur për të zhbërë papunësinë, por me synimin tërësisht të mundur, për të dhënë një shembull konkret të prekshëm real të luftës ndaj papunësisë, duke ndryshuar jetën e një numri të rinjsh dhe të rejash, e një numri të rinjsh dhe të rejash, që në në raport me numrin tërësor të të rinjve dhe të rejave të papunë, mund të jetë shumë i vogël, por që në raport me efektin që mund të ketë tek gjithë pjesa tjetër e të rejave dhe të rinjve, mund të jetë në të tilla përmasa, që ne sot mund dhe të mos i masim dot, në kuptimin e efektit pozitiv.

“Jam i bindur që kulturalisht, ky projekt ka një vlerë të veçantë. Një projekt kanalizimesh, një projekt drenazhimesh, një projekt transformimesh fizike në territor ka vlerën e vet, sjell ndryshimin përkatës, bën të mundur një rritje të cilësisë së jetës së përditshme të një komuniteti, por nuk e përmban për vetë natyrën e vet, komponentin kulturor që ka projekti, që ne sot po prezantojmë bashkë me Bankën Botërore dhe falë Bankës Botërore”, përfundoi Rama.

n.e/NOA

KOMENTE