Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Kujt i jam mirënjohës
English

Kujt i jam mirënjohës

Unë i jam mirënjohës Bankës Botërore. E dimë, nuk është sekret se nuk është një mirënjohje e dhënë njëherë e përgjithmonë pa kushte, por i jam mirënjohës në rastin konkret, sepse ka besuar tek ky projekt, është investuar për ta bërë të mundur këtë projekt dhe ka zgjedhur, që duke besuar dhe duke u përpjekur bashkë me ne, të bëjë një sfidë që është e pazakontë për traditën e vetë projekteve të Bankës Botërore në Shqipëri

Nga Edi Rama

Kryetar i Bashkisë së Tiranës

“Ky është një projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse synon të sfidojë një prej armiqve më të mëdhenj, më të rrezikshëm dhe më të fortë që ka shoqëria jonë, që është papunësia, ku 45 % e të rejave të këtij vendi janë të papuna dhe 30 % e të rinjve të këtij vendi janë të papunë dhe të mos harrojmë se edhe me vetë shifrat në këtë vend, ne kemi një problem të pazgjidhur që rëndohet dita – ditës, për shkak të hendekut që shkon duke u zgjeruar, mes shifrave zyrtare dhe shifrave reale që fshihen në pamundësinë dhe paaftësinë për t’i bërë ato publike.

Nëse ka varfëria një dimension të sajin, që e bën atë po aq kërcënuese dhe të rrezikshme sa edhe papunësia për shoqërinë, është ai dimension që nuk lidhet thjesht me faktin që varfëria është një gjendje materiale, por lidhet me faktin se varfëria i ka rrënjët e veta tek pjesa më dërrmuese e saj, që është varfëria e aspiratave. Sot, në shoqërinë tonë, ne duhet të ballafaqohemi nga njëra anë me papunësinë në rritje dhe nga ana tjetër, me kushtet e një varfërie që i bën aspiratat e njerëzve tanë gjithnjë e më të ulëta.

Ky projekt, në përmasën e tij modeste, por në kuptimin e tij të madh e të plotë, është një sfidë në radhë të parë ndaj varfërisë së aspiratave, e cila fatkeqësisht ka pllakosur dhe hyn përditë e më thellë, posaçërisht në shpirtrat e të rejave dhe të rinjve të këtij vendi, që gjithmonë e më pak e shohin perspektivën e jetës së tyre në këtë vend, gjithmonë e më shumë e kërkojnë atë perspektivë përtej kufijve të këtij vendi dhe gjithmonë e më thellë e ndiejnë se sa artificiale dhe se sa pa të ardhme është rruga e një sistemi shkollor, që përfundon me një cikël universitar tërësisht të korruptuar dhe tërësisht të pathemeltë.

Dua të fokusohem tek projekti, sepse besoj jashtëzakonisht shumë tek vlera e shembullit që ka ky projekt, tek fuqia e shembullit që mund të gjenerojë ky projekt, tek mundësitë që ky projekt u jep të rejave dhe të rinjve, për të kuptuar se rruga e daljes nga varfëria dhe nga papunësia është rruga që kalon përmes sfidës ndaj varfërisë së aspiratave dhe nëpërmjet provës kurajoze të vënies në jetë të çdo ideje. Asgjë nuk është e pamundur, as në këtë vend dhe gjithçka mund të realizohet me fuqinë e ideve dhe me besimin tek disa aspirata, që fatkeqësisht në shoqërinë tonë janë kthyer në aspirata tërësisht margjinale. Ky është një projekt inovativ dhe kjo është një e vërtetë shumë e rëndësishme për këtë projekt. Është një projekt i lindur pikërisht si sfidë ndaj varfërisë së aspiratave dhe si një përpjekje për të adresuar çështjen e papunësisë, jo me synimin e pamundur për të zhbërë papunësinë, por me synimin tërësisht të mundur, për të dhënë një shembull konkret të prekshëm real të luftës ndaj papunësisë, duke ndryshuar jetën e një numri të rinjsh dhe të rejash, e një numri të rinjsh dhe të rejash, që në në raport me numrin tërësor të të rinjve dhe të rejave të papunë, mund të jetë shumë i vogël, por që në raport me efektin që mund të ketë tek gjithë pjesa tjetër e të rejave dhe të rinjve, mund të jetë në të tilla përmasa, që ne sot mund dhe të mos i masim dot, në kuptimin e efektit pozitiv.

Për këtë arsye, unë i jam mirënjohës Bankës Botërore. E dimë, nuk është sekret se nuk është një mirënjohje e dhënë njëherë e përgjithmonë pa kushte, por i jam mirënjohës në rastin konkret, sepse ka besuar tek ky projekt, është investuar për ta bërë të mundur këtë projekt dhe ka zgjedhur, që duke besuar dhe duke u përpjekur bashkë me ne, të bëjë një sfidë që është e pazakontë për traditën e vetë projekteve të Bankës Botërore në Shqipëri. Unë jam i bindur, që në rast se ne do të arrijmë të përmbushim tre përbërës të objektivit të madh të projektit; së pari të ngremë kapacitetet profesionale të një numri të rinjsh, të cilët falë projektit dhe bursave për edukimin profesional të tyre, do të mund që në fund të projektit, të jenë në gjendje të përballojnë vetë jetën e tyre në tregun e punës; së dyti, t’i japim mundësi një tjetër numri të rinjsh, që të vetëpunësohen, duke i dhënë jetë ideve të tyre për sipërmarrje, falë një mbështetjeje fillestare, financiare të projektit dhe së treti; të krijojmë shembuj të zhvillimit të komunitetit, me pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të të rinjve, në funksion të nevojave social - ekonomike apo kulturore të komunitetit, me një tjetër numër të rinjsh përfitues, ne kemi realizuar një projekt, i cili do të bëhet pikë referimi, ndoshta jo më dhe jo vetëm për Bankën Botërore, as më dhe as vetëm për Bashkinë e Tiranës apo Bashkinë e Durrësit, por për të gjitha nivelet e qeverisjes së këtij vendi, në raport me problemin më të madh që ka ky vend dhe që përtej të gjitha shifrave, debateve, mosmarrëveshjeve mbi shifrat e programet, qëndron një problem i pazgjidhur dhe i paadresuar, që është problemi i papunësisë, i cili shkon duke u thelluar me shifra papunësie, që rriten në mënyrë marramendëse, përtej të gjithë të dhënave të një modeli zhvillimi që ka falimentuar në Shqipëri, në raport me papunësinë.

Jam i bindur që kulturalisht, ky projekt ka një vlerë të veçantë. Një projekt kanalizimesh, një projekt drenazhimesh, një projekt transformimesh fizike në territor ka vlerën e vet, sjell ndryshimin përkatës, bën të mundur një rritje të cilësisë së jetës së përditshme të një komuniteti, por nuk e përmban për vetë natyrën e vet, komponentin kulturor që ka projekti, që ne sot po prezantojmë bashkë me Bankën Botërore dhe falë Bankës Botërore.

Në fund, dua ta mbyll fjalën time aty ku e nisa, me znj. Lvovsky, e cila modestisht tha se ne nuk po kërkojmë të bëjmë një mrekulli dhe nuk duhet të presim një mrekulli nga ky projekt, por nga ana tjetër, unë besoj se ky projekt e mishëron më shumë dhe më mirë se shumë e shumë projekte, përpjekje, modele të tjera, një shprehje të Nënë Terezës, që unë e kam shumë për zemër: “Në vend se të mallkosh errësirën, ndiz një qiri” dhe ndërkohë që ne nuk mund t’i shmangemi mallkimit të papunësisë, si një mallkim që e ndjek këtë shoqëri dhe që vit pas viti ia bën më të vështirë rrugën e zhvillimit dhe ngritjes morale dhe materiale kësaj shoqërie, prapë se prapë, përmes këtij projekti ne shkojmë përtej mallkimit të papunësisë dhe e bëjmë të mundur vizatimin e një rruge të re, për t’u ndeshur me papunësinë dhe për ta mundur papunësinë, në aq numër të rejash e të rinjsh në këtë rast, sa ka mundësi projekti. Nuk janë pak, janë qindra e qindra të rinj e të reja, por janë njëkohëisht edhe drita e ndezur, në mes të këtij terri papunësie që jam i bindur, do të bëjë të mundur që me përfundimin e këtij projekti, një rrugë e re të jetë hapur dhe një mënyrë e re për ta përballur papunësinë mes të rejave dhe të rinjve, të jetë afirmuar”.

* Fjala e mbajtur sot pasi Bashkia e Tiranës, promovoi në ambientet e Qendrës Multimediale “TEN”, projektin më të ri “Fuqizimi i të rinjve nëpërmjet zhvillimit të komunitetit”, një bashkëpunim me Bankën Botërore në Shqipëri dhe që ka si qëllim krijimin e hapësirave të punësimit, formimit profesional dhe zhvillimit për të rinjtë

Më poshtë gjeni një informacion të dobishëm mbi nismën:

Tiranë, 4 Nëntor 2010 NOA - “Fuqizimi i të rinjve nëpërmjet zhvillimit të komunitetit” është një nga aksionet e pushtetit vendor të Bashkisë së Tiranës dhe Durrësit, ndërmarrë në përputhje me strategjitë lokale, për reduktimin e varfërisë dhe përjashtimit social në dy qytetet më të mëdha të vendit. Objektivi i kësaj ndërhyrjeje janë të rinjtë në vështirësi ekonomike dhe ata me probleme sociale.

Ky projekt është financuar nga Qeveria Japoneze, me shumën prej 1,155,700 USD, nëpërmjet Fondit Japonez për Zhvillim Social (JSDF), me ndihmën e Bankës Botërore në Shqipëri dhe zbatohet nga Qendra Kombëtare për Studime Sociale.

Programi i projektit zhvillohet në tre komponentë kryesorë:

i. Ngritja e kapaciteteve të të rinjve nëpërmjet aftësimit për jetën dhe rritjen e aftësive profesionale, nëpërmjet trajnimeve dhe bursave për edukimin profesional; përfitues nga ky komponent do të jenë rreth 630 të rinj;

ii. Vetëpunësimi i të rinjve nëpërmjet mbështetjes financiare për fillimin e një biznesi; përfitues nga ky komponent do të jenë rreth 100 të rinj;

iii. Zhvillimi i komunitetit me pjesëmarrjen e të rinjve dhe në përputhje me nevojat e tyre sociale, kulturore dhe ekonomike ; përfitues nga ky komponent do të jenë rreth 1000 të rinj.

Ky projekt po zbatohet në bashkëpunim të ngushtë me aktorët e tjerë të tregut të punës (në Tiranë dhe Durrës) siç janë: operatorët publikë dhe privatë të ofrimit të shërbimeve të formimit profesional, biznesi lokal dhe shoqëria civile.

Projekti do të zhvillohet për një periudhë 3-vjeçare (2010-2013). Kohëzgjatja i jep mundësi këtij projekti, të krijojë një model të kontributit të pushtetit vendor, në përmirësimin e shërbimeve të punësimit dhe formimit profesional, në kushtet specifike të zhvillimit të tregut të punës të dy qyteteve më të mëdha të vendit, që kanë specifika të zhvillimit ekonomik, por edhe të problemeve sociale.

KOMENTE